Ish-ambasadori Agim Nesho ka komentuar zhvillimet e fundit të konfliktit në Iran, duke dhënë një parashikim për ecurinë e tij dhe pasojat në rajon.

I ftuar në News24, Nesho u shpreh se, ndonëse Irani mund të kishte mënyra për t’u hakmarrë, duket se aktualisht nuk ka kapacitet real për një reagim të tillë.

Sipas tij, goditjet e para kanë qenë të përqendruara dhe kanë synuar eliminimin e zinxhirit drejtues të regjimit iranian, duke përfshirë figura të rëndësishme politike dhe ushtarake.

Nesho theksoi se përpjekjet e Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë qenë që në fillim të fokusuar te shmangia e përshkallëzimit përmes diplomacisë, sidomos për çështje si programi bërthamor i Iranit dhe roli i tij në mbështetjen e grupeve si Hezbollah dhe Houthi.

Megjithatë, sipas ish-ambasadorit, situata ka arritur në një pikë ku administrata e Donald Trump synon të mos lërë hapësirë që regjimi iranian të rikuperohet dhe të organizojë veprime hakmarrëse.

Ai parashikoi se zhvillimet aktuale mund të çojnë drejt një ndryshimi regjimi në Iran, duke theksuar se kjo, sipas tij, do t’i hapte rrugë popullit iranian për të ndërtuar një sistem të ri politik.

Në fund, Nesho paralajmëroi se Irani mbetet një rrezik potencial jo vetëm për stabilitetin e Lindjes së Mesme, por edhe për sigurinë globale, duke theksuar rëndësinë e zhvillimeve të ardhshme në këtë konflikt.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb