Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK dhe kaloi për gjykim në themel dosjen penale ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurve të tjerë.
Meta dhe Kryemadhi do të gjykohen me procedurë të zakonshme, për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, lidhur me çështjen CEZ-DIA dhe kontratat e lobimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa të pandehurit, Fatima Kryemadhi, Ema Coku, nën akuzë për pastrim parash dhe Piro Xhixho, i pandehur për korrupsion, kanë kërkuar gjykim të shkurtuar dhe pritet që të gjykohen veçmas nga ish-çifti Meta-Kryemadhi. Ish-presidenti mohon akuzat dhe pretendon se procesi ndaj tij është i motivuar politikisht.

Avokati i tij, Kujtim Cakrani tha se hetimi nuk është kryer i plotë. Ish-deputetja Monika Kryemadhi tha se e priste vendimin dhe për të spati asnjë surprizë. Seanca paraprake për kalimin ose jo të dosjes për gjykim zgjati 8 muaj. Ilir Meta mbahet në paraburgim prej tetorit të 2024, ndërsa të pandehurit e tjerë janë hetuar në liri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: