Kreu i Konfindustria, Gjergj Buxhuku, ka lëshuar një paralajmërim të fortë për gjendjen ekonomike në Shqipëri, duke theksuar se vendi rrezikon të përballet me një krizë të ngjashme me atë të kriza e vitit 1997 në Shqipëri, nëse nuk merren masa të menjëhershme. Sipas tij, disa tregues kryesorë ekonomikë janë në përkeqësim të vazhdueshëm. Buxhuku theksoi se prodhimi industrial ka rënë gjatë 4-5 viteve të fundit, ndërsa deficiti tregtar ka arritur në rreth 5.6 miliardë euro, duke reflektuar dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare.

Ai ngriti shqetësimin se forca e lekut nuk mbështetet nga ekonomia reale, por, sipas tij, ndikohet nga hyrja e parave të paligjshme në vend. Në këtë kontekst, ai përmendi edhe goditjet ndaj grupeve kriminale nga SPAK, duke pretenduar se këto veprime janë më shumë rezultat i presionit ndërkombëtar sesa i një vullneti të brendshëm politik.

Buxhuku paralajmëroi se nëse këto burime financiare goditen, ekonomia shqiptare mund të përballet me pasoja të rënda, duke prekur drejtpërdrejt pensionet, pagat dhe nivelin e taksave për qytetarët. Ai shtoi se kjo situatë mund të çojë në një përmbysje të kursit të këmbimit të lekut dhe në destabilizim ekonomik.
Sipas tij, gjendja aktuale i ngjan asaj të vitit 1996, një vit përpara shpërthimit të krizës së skemave piramidale, ndërsa paralajmëroi se përkeqësimi i situatës mund të jetë edhe më i rëndë nëse ndërthuret me krizën e karburanteve. Në përfundim, Buxhuku e cilësoi situatën si tejet serioze, duke paralajmëruar pasoja të rënda për ekonominë, industrinë dhe qytetarët, nëse nuk ndërhyhet me politika të qarta dhe efektive.

“Nëse nuk merren masa, mund të kthehemi i në krizë ekonomike, si të vitit ’97. Mbajeni mend nga unë. Prodhimi industrial ka rënë këto 4-5 vite. Deficiti tregtar ka arritur 5.6 mld euro. Kjo gjendje ekonomike në Shqipëri, fortësia e lekut nuk mbahet nga ekonomia e vendit, por nga paratë kolosale të zeza. Goditja që bën SPAK, nuk është vullnet politik i vendimmarrjes i vendimmarrjes politike shqiptare, por dora e zgjatur e ndërkombëtarëve, të cilët dëmtohen nga grupet e organizuara shqiptare, që sjellin paratë e pista në vendin tonë. Mendoni që këto goditje të SPAK, të grupeve që sjellin valutën e freskët chash do të goditen, çfarë do të ndodhë me ekonominë shqiptare? ME pensionet, taksat, pagat e shqiptarëve? Leku mund të kthehet në të kundërtën e saj, me formën e kundërt. Të ardhurat tona janë para që po ia grabit kryesisht vendeve të BE dhe po i sjell në Shqipëri. Për këto arsye, situata në Shqipëri është e ngjashme me vitin 96, një vit para krizës së piramidave. Këto vlerësime të zymta, por reale, bëhen pa pasojat katastrofike të krizës së karburanteve. Imagjinoni kur të përzihen të dyja këto se çfarë mund të ndodhë. Është shkatërrim i përmasave të një të keqe të madhe, bërthamore, për ekonominë shqiptare, industrinë dhe qytetarët. Mund të detyrojë rënien e rendit kushtetues, që të mbahet me forca ushtarake të huaja. Aq e rëndë është situata!”, tha Buxhuku.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: