Emisioni Vetting
Emërimi në shkelje të ligjit, DAP-i heq përgjegjësinë nga vetja
Drejtoresha e Tatimeve Tiranë Erilinda Lala do të ngjiste shkallët e karrierës paralelisht me drejtuesin e saj, ministrin e Financave Petrit Malaj. Fillimisht Malaj do të emërohej Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe aty do të punësohej si juriste edhe Erilinda Lala. Më pas Malaj kaloi në Ministrinë e Financave në shtator 2024, ku do të merrte përsëri pranë tij si këshilltare edhe Lalan.
Më 18 shkurt 2026, me propozimin e vetë ministrit Malaj dhe me shkresën e dërguar në Departamentin e Administratës Publike, ky i fundit do të propozonte Erilinda Lalan si Drejtore të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Tiranë. Sipas DAP-it, pas verifikimeve përkatëse, ajo që tashmë ishte anëtare e Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues do të vendosej në 19 shkurt 2026 në këtë pozicion pa qenë nevoja e një procedure konkurrimi, pasi bëhej fjalë për një pozicion të nivelit të mesëm drejtues.
Problemi është se “Vetting” ka denoncuar në dhjetor 2025 se Lala kishte qenë që prej vitit 2025 si drejtuese e komanduar në këtë post. Por ajo nuk mund të vendosej si e komanduar, pasi nuk gëzonte statusin e nëpunësit civil.
Sipas avokatit Redi Ramaj, metoda e komandimit nuk mund të bëhet për kohë të gjatë pasi është për raste emergjence.
“Nëse flasim për Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Tiranë, automatikisht në këtë rast duhet garë dhe transparencë për emërimin sepse është një nga drejtoritë më të rëndësishme në vend”, u shpreh avokati Ramaj.
Nga dokumentet rezulton se Erilinda Lala ka qenë këshilltare në Ministrinë e Financave nga 2 shtator 2024 dhe është larguar nga kjo detyrë më 15 nëntor 2024, gjë që provohet nga deklarata e pasurisë pas largimit nga funksioni. Pra në fund të vitit 2024 ajo nuk ishte më në këtë pozicion. Më pas, Lala rezulton se ka filluar detyrën si drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë më 29 maj 2025 dhe në këtë periudhë ka qenë e komanduar në detyrë.
Ndërkohë DAP-i, në përgjigjen zyrtare që ka kthyer, nuk flet për komandimin e majit 2025, por vetëm për emërimin me akt të DAP-it në 19 shkurt 2026, pas kërkesës së Ministrit të Financave.
DAP-i nuk ka shpjeguar fazën e komandimit. Ligji për nëpunësin civil nr.152/2013, i ndryshuar, parashikon që komandimi në një pozicion drejtues mund të bëhet vetëm në kushte të caktuara dhe për periudha të kufizuara, zakonisht kur vendi është vakant dhe deri sa të përfundojë procedura e rregullt e emërimit.
Por një komandim i tillë duhet të ketë akt administrativ të qartë dhe bazë ligjore dhe ky departament është institucioni që administron këto procedura. Në përgjigjen që DAP ka dhënë nuk përmendet fare kjo fazë, duke krijuar një boshllëk në kronologjinë ligjore të emërimit.
Problemi është se pozicioni i drejtorit të Drejtorisë Rajonale Tatimore është pozicion i nivelit të mesëm drejtues dhe sipas ligjit për nëpunësin civil ai duhet të plotësohet nga persona që kanë statusin e nëpunësit civil.
Nga informacioni që kemi, Erilinda Lala ka kaluar fazën e dytë të provimit për Trupën e Nivelit të Lartë Drejtues vetëm në tetor 2025, pra disa muaj pasi kishte filluar të ushtronte detyrën si drejtoreshë e Tatimeve në maj 2025. Kjo krijon një problem logjik dhe juridik: në momentin që ajo është komanduar drejtoreshë në maj 2025, nuk rezulton të ketë qenë pjesë e TND-së ose të ketë kaluar procedurat për këtë nivel drejtues.
Një nga problemet më të rëndësishme lidhet me interpretimin që jep DAP në përgjigje. DAP thotë se emërimi është bërë sipas nenit 30 të ligjit për nëpunësin civil dhe VKM nr.118/2014, që lejon caktimin e një anëtari të TND-së në një pozicion drejtues me kërkesë të ministrit.
Por kjo dispozitë zbatohet vetëm kur personi është tashmë pjesë e TND-së. Në rastin konkret, sipas kronologjisë që del nga dokumentet, ajo fillon të ushtrojë detyrën shumë muaj para se të konfirmohet në këtë status.
Në administratën publike kjo është një pjesë thelbësore e procedurës, sepse komandimi është akt administrativ dhe duhet të jetë i dokumentuar.
Problemi tjetër lidhet me kohëzgjatjen e komandimit. Nëse ajo është komanduar në maj 2025 dhe emërimi formal bëhet në shkurt 2026, kemi një periudhë rreth 9 muaj në të cilën ajo ushtron detyrën e drejtoreshës.
Vetë Departamenti i Administratës Publike nuk bën transparencë të plotë. Në kërkesën që ka bërë “Vetting”, redaksia ka kërkuar procesin e plotë të emërimit dhe fazat e tij. Por DAP ka kthyer përgjigje vetëm për aktin e fundit të emërimit në vitin 2026 dhe jo për fazën e mëparshme kur ajo ushtronte funksionin si drejtoreshë e komanduar.
“Vetting” këmbënguli në kërkesën për informacion duke argumentuar se përgjigjja ishte jo e plotë dhe e dërgoi ankesën pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale Besnik Dervishi. Por pas ankesës, Departamenti i Administratës Publike do të përgjigjej se nuk ishte në dijeni të emërimit të znj. Lala si drejtoreshë e komanduar dhe do të kryente verifikimet për rastin në fjalë, duke ia kaluar përgjegjësinë institucioneve që kanë bërë emërimin. DAP-i shtoi më tej se pasi të kryente verifikimet, do të jepte informacionin edhë përsa i përket emërimit të komanduar.
“Vetting” kontaktoi Komisionerin e Shërbimit Civil për rastin e Erilinda Lalas në Tatime, por deri në publikimin e këtij materiali Drejtoresha Lefterije Lleshi nuk bëri asnjë koment për redaksinë.

Fshehja e pasurisë nga Lala-Godroli dhe hetimet ndaj ministrit Malaj
Pronat në bregdet kanë prodhuar disa nga konfliktet më të ashpra në historinë e shtetit shqiptar dhe duke filluar nga Shkodra në veri e deri në jug në Sarandë, banorët përplasen me njëri-tjetrin, por më shpesh me shtetin.
Një nga pronat që ka ngritur pikëpyetje edhe për procesin e privatizimit sipas denoncimeve të ardhura në redaksinë “Vetting” është hotel-restoranti i familjes Lala, ku bashkëshorti i Drejtoreshës së Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala, Taulant Godroli, ka punuar si menaxher i padeklaruar sipas formularit të deklarimit të pasurisë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për vitin 2025.
Së bashku me Drejtoreshën Lala ata kanë fshehur pasuri apo të ardhura të lidhura me interesa që sipas indicieve lidhen me resortin gjigant në Qerret të Kavajës.
Drejtoresha Lala nuk ka deklaruar NIPT-et dhe emrat e biznesit që ka siguruar rreth 40 mijë euro të ardhura në disa muaj të vitit 2023. Pavarësisht kësaj, kryeinspektorja Evgjeni Bashari dhe Sekretari i Përgjithshëm Arbër Basholli nuk kanë dhënë asnjë përgjigje për “Vetting” apo se çfarë masash janë marrë në këtë rast.
Problemi tjetër është se Taulant Godroli nuk ka fshehur vetëm çështjen e punësimit, por edhe kompaninë që dikur ka qenë në pronësi të tij, si edhe rolin e tij në kompaninë tjetër ALKO IMPEX CONSTRUCTION (ish KLEDOR ALBANIA-09), e cila është në pronësi të Arbër Abazit.
Në vitin 2009 Taulant Godroli do të themelonte kompaninë Electral sh.p.k si aksioner i vetëm dhe disa vite më pas ai do të bëhej administrator i një shoqërie koncesionare, HEC Hotolisht, e cila në vitin 2015 do të fitonte kontratën nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë për ndërtim, operim dhe transferim të hidrocentraleve të Hotolishtit me vlerë investimi 567 milionë lekë.

Problemi lidhet me faktin se Godroli nuk ka deklaruar në formularin e ILDKPKI-së se ka qenë administrator në këtë kompani koncesionare nga viti 2015 deri në vitin 2017.
Madje ai ka fshehur edhe aktin e transferimit të aksioneve të “Electral” shpk, pasi kjo nuk është e deklaruar në formularin fillestar të deklarimit të pasurisë si person i lidhur me Drejtoreshën Erilinda Lala.
Sipas avokatit Ramaj, personat që janë subjekt i ligjit për deklarimin e pasurisë në ILDKPKI duhet të deklarojnë të ardhurat apo transaksionet me kompanitë private kur transferojnë aksionet.
“Ky rast është shkelje e ligjit dhe mendoj se ILDKPKI-ja duhet të nisi një inspektim për të kuptuar se cilat janë shkaqjet e mosdeklarimit”, tha avokati Ramaj.
“Vetting” kontaktoi Sekretarin e Përgjithshëm të ILDKPKI-së, Arbër Basholli, për faktet e reja të mosdeklarimit të pasurisë nga Godroli, por ai refuzoi të bënte koment apo të tregonte se çfarë masash do të merreshin në këtë rast.
Ndërkohë i vetmi fakt që ka dalë zyrtarisht nga korrespondenca e “Vetting” me ILDKPKI-në është se ky institucion ka filluar hetimet për verifikimin e të dhënave të pasurisë ndaj ministrit Petrit Malaj.
Ngelet e paqartë nëse Inspektoriati ia ka referuar rastin Prokurorisë apo ka marrë masa administrative pasi sipas ILDKPKI-së zgjerimi i informacionit në këtë rast lidhet me të dhëna konfidenciale.
