Cameron McEvoy ka kaluar Cesar Cielon si njeriun më të shpejtë në 50 metra stil i lirë në not.
31-vjeçari australian zhvilloi një garë të jashtëzakonshme, duke fiksuar kohën 20.88 sekonda në “Open”-in e Kinës, që po zhvillohet në Shenzhen. Ai përmirësoi me 0.03 sekonda rekordin botëror prej 20.91 sekondash që Cielo e kishte vendosur në vitin 2009, në fundin e epokës së kostumeve prej poliuretani.
Kostumet prej poliuretani, të prezantuara në dekadën e parë të këtij shekulli, sollën një “revolucion” të vërtetë në not, duke çuar në vendosjen e rekordeve njëri pas tjetrit. Ato u ndaluan përfundimisht në vitin 2010, por rekordet e arritura me to nuk u anuluan.
