Organizata Botërore Meteorologjike ka ngritur alarmin se klima e Tokës është më e çekuilibruar se në çdo moment tjetër të historisë së regjistruar, duke paralajmëruar për pasoja gjithnjë e më të rënda globale.

Sipas raportit, planeti po grumbullon shumë më tepër energji termike sesa mund të çlirojë, kryesisht për shkak të emetimeve të gazrave serrë si dioksidi i karbonit. Ky “çekuilibër rekord i energjisë” ka çuar në ngrohjen e oqeaneve në nivele të paprecedenta dhe në shkrirjen e përshpejtuar të akullnajave.

Më shumë se 90% e nxehtësisë së tepërt është përthithur nga oqeanet, duke shkaktuar dëme në ekosistemet detare, rritje të nivelit të detit dhe intensifikim të stuhive. Ndërkohë, akulli në të dy polet ka arritur nivele rekord të ulëta gjatë vitit 2025.

Raporti thekson se 11 vitet e fundit kanë qenë më të nxehtat që nga viti 1850. Vetëm në vitin 2025, temperaturat globale ishin rreth 1.43°C mbi nivelet para-industriale, ndërsa shkencëtarët paralajmërojnë se ngrohja mund të përshpejtohet edhe më tej.

Një faktor shtesë shqetësues është fenomeni natyror El Niño, i cili pritet të rikthehet dhe mund të çojë temperaturat globale në rekorde të reja në vitet e ardhshme.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, bëri thirrje urgjente për veprim, duke kërkuar braktisjen e lëndëve djegëse fosile dhe kalimin drejt energjisë së rinovueshme. “Planeti Tokë po shtyhet përtej kufijve të tij. Çdo tregues kyç i klimës po shkëlqen me të kuqe,” deklaroi ai.

Sipas ekspertëve, nivelet e dioksidit të karbonit janë më të lartat në të paktën dy milionë vjet, duke konfirmuar se aktivitetet njerëzore mbeten shkaku kryesor i krizës klimatike.

Shkencëtarët paralajmërojnë se pasojat e këtij çekuilibri do të ndihen për shekuj, ndërsa fenomenet ekstreme të motit, si valët e të nxehtit dhe përhapja e sëmundjeve, pritet të bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe intensive.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb