Një punonjëse e një dyqani veshjesh në Kordoba të Spanjës u plagos në qafë pasi ra nga shkallët, vetëm 13 minuta pasi ishte njoftuar gojarisht për pushimin nga puna.

Ngjarja ndodhi në prill të vitit 2023, kur gruaja po mblidhte sendet e saj personale pas njoftimit nga menaxheri se kontrata e punës përfundonte atë ditë. Aksidenti u raportua në orën 14:13, ndërsa njoftimi zyrtar për ndërprerjen e marrëdhënies së punës iu dërgua me email në orën 15:57.

Punonjësja iu drejtua gjykatës, duke kërkuar që pushimi nga puna të shpallej i pavlefshëm dhe një dëmshpërblim shtesë prej 33 001 eurosh, me pretendimin se ishin shkelur të drejtat e saj. Ajo kërkoi gjithashtu që dëmtimi të njihej si aksident në punë, por kompania nuk e pranoi këtë klasifikim.

Gjykata Supreme e Andaluzisë rrëzoi ankimin e saj, duke vlerësuar se nuk ishte provuar që pushimi nga puna lidhej me gjendjen shëndetësore të punonjëses. Gjykata la në fuqi vendimin e mëparshëm, sipas të cilit pushimi nga puna ishte i paligjshëm, por jo i pavlefshëm, ndërsa kërkesa për kompensimin shtesë prej 33 001 eurosh u refuzua.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: