Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin në shtetin e Minesotës, ku një zjarr i fuqishëm në një banesë ka marrë jetën e një nëne dhe tre fëmijëve të saj.

Viktimat janë identifikuar si gazetarja e njohur e hokejit Jessie Pierce, 37 vjeçe, dhe tre fëmijët e saj. Sipas raportimeve, ata u gjetën pa shenja jete pas shpërthimit të zjarrit në shtëpinë e tyre në White Bear Lake. Në këtë ngjarje tragjike humbi jetën edhe një kafshë shtëpiake e familjes.

Ironikisht, vetëm një ditë para ngjarjes, Pierce kishte ndarë në rrjetet sociale momente nga një dalje e lumtur me fëmijët e saj, teksa shijonin akullore në dyqanin e tyre të preferuar. Postimi i saj i fundit në platformën X mbante përshkrimin: “Çantat janë të siguruara”.

Shkaku i zjarrit ende nuk është bërë i ditur dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Në një reagim zyrtar, National Hockey League (NHL) konfirmoi vdekjen e gazetares dhe fëmijëve të saj, duke shprehur ngushëllime të thella për familjen.

“E gjithë familja e NHL i dërgon lutjet dhe ngushëllimet më të sinqerta familjes Pierce për humbjen e Jessi-t dhe tre fëmijëve të saj të vegjël. Jessi e donte lojën tonë dhe ishte një anëtare e vlefshme e ekipit NHL.com për një dekadë. Ajo do të na mungojë shumë”, thuhet në deklaratë. Ngjarja ka prekur thellë komunitetin sportiv dhe më gjerë, duke lënë pas një dhimbje të madhe për humbjen e parakohshme të një nëne dhe fëmijëve të saj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: