Aeroplanmbajtësja amerikane USS Gerald R. Ford, e cila ka operuar në Lindjen e Mesme gjatë ditëve të fundit, pritet të ankorohet gjatë ditës së sotme në Suda të Greqisë, me gjasë rreth mesditës. Sipas informacioneve paraprake, ndalesa lidhet kryesisht me nevojat për furnizim me karburant. Megjithatë, burime të mëparshme kanë bërë të ditur se po shqyrtohet edhe mundësia e kryerjes së inspektimeve teknike në anije, pas një zjarri të fundit që shpërtheu në bord.
Një raport i publikuar nga The New York Times disa ditë më parë theksonte se zjarri në aeroplanmbajtëse ka zgjatur më shumë se 30 orë, duke ngritur shqetësime mbi përmasat e incidentit. Ndërkohë, në një deklaratë zyrtare, Marina e Shteteve të Bashkuara sqaroi se zjarri nuk kishte lidhje me operacionet ushtarake dhe se si pasojë e tij mbetën të plagosur dy marinarë, por jashtë rrezikut për jetën.
Sipas zyrtarëve ushtarakë amerikanë dhe anëtarëve të ekuipazhit, flakët kanë shpërthyer fillimisht në lavanderinë kryesore të anijes, me gjasë në një kanal tharëseje, për t’u përhapur më pas përmes sistemit të ventilimit në ndarje të ndryshme të saj.
Autoritetet pritet të vijojnë hetimet dhe kontrollet teknike për të siguruar funksionimin e plotë të anijes luftarake më të madhe të flotës amerikane.
