Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në foltoren e organizuar nga PD përpara Kryeministrisë në Tiranë, ka artikuluar akuza të ashpra ndaj qeverisë dhe kryeministrit, duke bërë thirrje për protesta të vazhdueshme deri në ndryshimin e situatës politike.

Në një deklaratë me tone të forta, Berisha u shpreh se lëvizja e opozitës nuk është një “ndeshje futbolli”, por një betejë që, sipas tij, nuk mund të ndalet.

“Kryengritja jonë nuk është ndeshje futbolli, por nuk ka forcë në botë ta ndalë të shkojë në fitore,” deklaroi ai.

Duke iu referuar besimit të qytetarëve te drejtësia, Berisha tha se shqiptarët kishin vendosur shpresa të mëdha te SPAK, edhe pse ai vetë e ka kritikuar këtë institucion vazhdimisht.

“Qytetarët shqiptarë, me të drejtë apo gabimisht, besuan te SPAK-u i partisë. Sipas sondazheve, 70% besonin te ky institucion. Ata besonin se do shpëtonin nga vjedhja dhe korrupsioni dhe se ky institucion do mbronte interesat e tyre,” u shpreh Berisha.

Ai ngriti pikëpyetje mbi funksionimin e drejtësisë, duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

“Sot, kur dhëmbët e këtij institucioni mbeten në vithet e Lubi Ballukut, çfarë do thoni? Çfarë shprese keni ju më? A është ky fundi i shpresës? Jo kurrë!” tha ai.

Berisha vijoi duke theksuar se shpresa e vetme, sipas tij, mbetet te qytetarët dhe bashkimi i tyre për të larguar kryeministrin Edi Rama.

“Shpresa jeni ju vetë. Të bashkohemi dhe të largojmë Edi Ramën, të rikthejmë drejtësinë, ligjin dhe Kushtetutën. Me Edi Ramën nuk ka të ardhme në Shqipëri,” deklaroi kreu i PD-së.

Berisha theksoi se mbështetja ndërkombëtare për drejtësinë në Shqipëri ka qenë e fortë dhe e sinqertë, por sipas tij, pavarësisht kësaj, sistemi është vënë nën kontroll politik.

“A nuk është ky moment që t’i thërrisni ndërgjegjes suaj se vetëm ju jeni shpresa dhe se fati është në duart tuaja dhe jo në duart e një kryekrimineli si Edi Rama, i cili me një të rënë të lapsit e zeron drejtësinë?” deklaroi ai.

Në vijim, Berisha bëri thirrje për reagim të fortë qytetar, duke e konsideruar protestën si të vetmen rrugë.

“Ka vetëm një rrugë: të protestojmë gjer në fitore,” u shpreh ai.

Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin për përdorim dhune ndaj protestuesve.

“Rama dje ka përdorur dhunë, por të gjitha do t’i kthehen atij. Nuk do t’i mbetet asgjë pa iu kthyer,” tha Berisha.

Në fund të fjalës së tij, kreu i PD-së theksoi se kjo lëvizje nuk mund të ndalet dhe se synon një ndryshim të madh politik në vend.

“Kjo rrugë nuk ka forcë në botë ta ndalë. Do rikthejmë Shqipërinë si në vitin 1992 në rrugën e demokracisë. Balluku ka vjedhur miliarda me kryeministrin dhe ai është i gatshëm ta mbrojë. Nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër,” përfundoi Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb