Një qytetare, e pranishme në protestën e 93-të para Kryeministrisë, u bëri thirrje shqiptarëve, veçanërisht të rinjve, që të reagojnë dhe të përshkallëzojnë protestat kundër qeverisë. Duke folur për situatën në sistemin shëndetësor, ajo solli si shembull një përvojë personale, duke treguar se kishte humbur nënën e saj, për të cilën pretendon se nuk mori kujdesin e duhur mjekësor.

“Viktimë e shëndetësisë nuk është vetëm gruaja shtatzënë sot. Dy muaj më parë kam pasur nënën në spital. E humba, pasi mjekët nuk e prekën me dorë. Po të mos jepte lekë familja, askush nuk kujdesej për të”, u shpreh ajo. Qytetarja kërkoi gjithashtu më shumë mbështetje për nënat që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, duke e cilësuar situatën sociale si shqetësuese.

Më tej, ajo bëri thirrje për bllokimin e rrugëve dhe tuneleve në të gjithë vendin, si një mënyrë për të rritur presionin ndaj qeverisë. “Duhet të bllokojmë rrugët e Shqipërisë, të ulemi në shesh, të mos qarkullojë asnjë. Ku janë djemtë e Laçit, mamurrasit? Të dalin të bllokojnë rrugët, tunelet”, tha qytetarja.

Ajo vijoi me kritika të ashpra ndaj qeverisë, duke akuzuar mazhorancën për përkeqësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale. “Vejusha e zezë e Ramës po merr jetë njerëzish, po varfëron njerëzit. Ne nuk jemi mjeranë”, deklaroi ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: