NASA po ndërmerr një rishikim rrënjësor të programit Artemis, duke hequr dorë nga planet për ndërtimin e stacionit hapësinor në orbitën hënore Lunar Gateway dhe duke u përqendruar në krijimin e një baze të përhershme në sipërfaqen e Hënës, me një kosto të vlerësuar prej rreth 20 miliardë dollarësh. Vendimi u njoftua gjatë eventit “Ignition”, si pjesë e një pakete më të gjerë ndryshimesh që synojnë përshpejtimin e misioneve dhe forcimin e pranisë amerikane në hapësirë, në një kohë kur konkurrenca globale po intensifikohet dhe, sipas zyrtarëve, “koha matet me muaj, jo me vite”.
Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, theksoi se objektivi mbetet kthimi i astronautëve në Hënë përpara përfundimit të mandatit të Donald Trump, ndërtimi i një baze dhe sigurimi i një pranie të qëndrueshme njerëzore. Sipas planit të ri, NASA do të rrisë dërgimin e misioneve robotike, do të zhvillojë flota dronësh dhe do të punojë për përdorimin e energjisë bërthamore në sipërfaqen hënore, duke ndjekur një strategji trefazore që nis me eksplorim robotik dhe përfundon me praninë e përhershme të njerëzve. Ndërkohë, projekti i Lunar Gateway është pezulluar në formën aktuale, ndërsa agjencia synon të ripërdorë pajisjet dhe bashkëpunimet ndërkombëtare për objektiva të reja në sipërfaqen e Hënës.
Paralelisht, NASA njoftoi edhe një mision të ri drejt Marsit me anijen “Space Reactor 1 Freedom”, që pritet të niset para fundit të vitit 2028 për të testuar shtytjen elektrike bërthamore në hapësirë të thellë dhe për të përdorur helikopterë në eksplorimin planetar. Këto zhvillime vijnë ndërsa Shtetet e Bashkuara synojnë të rikthehen në Hënë përpara Kina, e cila planifikon një mision me njerëz rreth vitit 2030, megjithëse programi është përballur me vonesa, veçanërisht në zhvillimin e roverëve nga SpaceX dhe Blue Origin, duke bërë që NASA të deklarojë se do të përdorë mjetin që do të jetë gati i pari, ndërsa ndryshimet e fundit krijojnë gjithashtu pasiguri për partnerët ndërkombëtarë si Japonia, Kanadaja dhe Agjencia Evropiane Hapësinore, duke riformësuar ndjeshëm drejtimin e programit Artemis dhe strategjinë hapësinore të SHBA-së për vitet në vijim.
