Parlamenti i Iranit po shqyrton një projektligj të ri që synon vendosjen e një takse për të gjitha anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të energjisë.

Sipas raportimeve të mediave shtetërore iraniane, përfshirë agjencitë Fars News Agency dhe Tasnim News Agency, të cituara nga Associated Press, drafti i ligjit është përgatitur dhe pritet të finalizohet së shpejti nga strukturat ligjore të parlamentit.

Kryetari i Komitetit të Çështjeve Civile në parlament deklaroi se nisma synon të formalizojë mbledhjen e tarifave për anijet që përfitojnë nga siguria e garantuar nga Irani në këtë korridor detar strategjik. Sipas tij, vendosja e një tarife të tillë është “plotësisht e natyrshme”.

“Ngushtica e Hormuzit është një korridor ndërkombëtar dhe, si në çdo rrugë tjetër ku mallrat kalojnë përmes një territori, është e zakonshme që të aplikohen tarifa. Irani garanton sigurinë në këtë zonë dhe është e drejtë që anijet dhe tankerët të kontribuojnë financiarisht,” theksoi zyrtari.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb