Një tragjedi e rëndë është regjistruar në brigjet e Tunizisë, ku një varkë me emigrantë që kishte si destinacion Italinë është fundosur. Roja bregdetare tuniziane ka nxjerrë nga deti trupat e 11 personave, ndërsa tre të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Sipas të dhënave të publikuara nga Reuters, varka ishte nisur herët të enjten me 15 persona në bord, shumica prej tyre të rinj, me synimin për të arritur në brigjet italiane. Megjithatë, udhëtimi përfundoi në tragjedi pasi mjeti lundrues u fundos në brigjet tuniziane.
Vetëm një prej pasagjerëve arriti të mbijetojë. Ai u gjet nga një anije tregtare, pasi kishte qëndruar rreth 48 orë i vetëm në det, pa ndihmë.
Sipas dëshmisë së të mbijetuarit, ai kishte luftuar për të qëndruar në jetë për afro dy ditë, deri në momentin kur u pikas nga ekuipazhi i anijes tregtare dhe u shpëtua.
Ndërkohë, operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë për gjetjen e tre personave që ende rezultojnë të zhdukur. Në operacion janë angazhuar forca të rojës bregdetare, ushtrisë dhe Mbrojtjes Civile, me mbështetjen e dy helikopterëve.
Mes viktimave dhe personave të zhdukur ndodhen edhe anëtarë të së njëjtës familje, duke e bërë tragjedinë edhe më të rëndë.
Sipas kreut të Observatorit Tunizian për të Drejtat e Njeriut, shtatë nga 15 personat që ndodheshin në varkë i përkisnin së njëjtës familje.
Në bord ndodhej gjithashtu një çift, ndërsa gruaja ishte shtatzënë.
Të gjithë emigrantët ishin nga zona e Ben Guerdan, në juglindje të Tunizisë, pranë kufirit me Libinë.
Autoritetet vijojnë kërkimet në det për tre personat e zhdukur, ndërsa hetimet pritet të zbardhin rrethanat e sakta të fundosjes së varkës.
