Reshjet e dëborës janë rikthyer sërish në qarkun juglindor, kryesisht në lartësitë mbi 1100–1200 metra, në zonat përreth Pogradec. Gjatë orëve të para të mëngjesit, reshjet kanë qenë me intensitet të ulët deri në mesatar.
Kjo situatë ka bërë që autoritetet të ndërhyjnë për pastrimin e akseve kryesore, sidomos në zonat ku reshjet kanë qenë më të dendura.
Në aksin Qukës–Qafë Plloçë dhe në majën e Qafë Thanës, dëbora ka qenë më intensive gjatë natës, duke arritur trashësi të konsiderueshme. Megjithatë, për shkak të kushteve atmosferike pranverore, ajo ka nisur të shkrijë, duke mbetur ende prezente kryesisht në zonat malore.
Reshje dëbore janë regjistruar edhe në zonat turistike si Dardhë, Voskopojë, Boboshticë, si dhe në Leskovik dhe Ersekë.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit në këto zona. Aktualisht, të gjitha akset rrugore janë të kalueshme pa problematika.
