Shkrimtari dhe analisti Kim Mehmeti ka vënë theksin te roli i ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, duke e cilësuar atë si një figurë të angazhuar në mbështetje të të rinjve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Në një reagim publik, Mehmeti thekson se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë potencial të madh rinor, por shpeshherë përballen me kufizime dhe mungesë hapësire për shkak të klasës politike. Sipas tij, në këtë realitet, roli i përfaqësuesve institucionalë është vendimtar.
Ai veçon ambasadorin Meidani, duke nënvizuar se ai ka kuptuar rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të vlerave të përbashkëta kombëtare. “Edhe pse mund të jetojmë në shtete të ndryshme, duhet të kujdesemi për kopshtin e përbashkët të vlerave tona,” shprehet Mehmeti.
Sipas tij, Meidanika ndërtuar një raport të afërt me të rinjtë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke i mbështetur dhe inkurajuar në iniciativat e tyre. Ai përmend si shembull aktivistë si Mevlan Ademi, të angazhuar në kauza si përdorimi i gjuhës shqipe në sistemin arsimor.
Mehmeti thekson se ndryshe nga shumë ambasadorë të mëparshëm të Shqipërisë në Shkup, figura e Meidanit është bërë e njohur dhe e vlerësuar nga komuniteti shqiptar atje, pikërisht për shkak të pranisë aktive dhe mbështetjes konkrete ndaj të rinjve.
