Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me presidentin francez Emmanuel Macron, ku në fokus kanë qenë çështjet e sigurisë dhe marrëdhëniet me Serbinë.
Takimi u mbajt në Pallati Élysée gjatë një dreke pune, ku sipas Zyrës së Kryeministrit u vlerësua roli i vazhdueshëm i NATO në Kosovë, veçanërisht përmes misionit KFOR, si dhe kontributi i misioneve të Bashkimit Evropian.
Gjatë bisedës, Kurti theksoi se siguria e Kosovës lidhet fillimisht me mbrojtjen e kufijve, por edhe me forcimin e kapaciteteve të brendshme mbrojtëse. Ai foli gjithashtu për raportet me Serbinë në kuadër të dialogut në Bruksel dhe për zbatimin e marrëveshjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve.
Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin me aleatët euroatlantikë dhe situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit. Po ashtu, pjesë e bisedës ishin integrimi evropian dhe siguria në kontinent, ku Kurti kërkoi mbështetjen e Francës për rrugën evropiane të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
