Kylian Mbappe ka ndarë përvojën e tij të vështirë pas EURO 2020, duke nxjerrë në pah anën më të errët të futbollit. Në një bisedë me Achraf Hakimi, Aurelien Chouameni dhe komedianin Malik Bedala, sulmuesi i Real Madridit foli hapur për racizmin që përjetoi pas eliminimit të Francës nga Zvicra.

Mbappe iu referua natës së fazës së 16-shes, kur humbi penalltinë vendimtare dhe Franca u eliminua pas një barazimi 3-3, përpara se zviceranët të triumfonin 5-4 në penallti. “Doja të largohesha nga kombëtarja franceze,” rrëfeu ai. “E kisha vendosur Francën shumë lart në prioritetet e mia, por pas humbjes së penalltisë, shumë njerëz filluan të më ofendonin dhe të më quanin majmun. Pyesja veten nëse po luftoja për njerëzit e duhur.”.

Intensiteti i reagimeve dhe komentet raciste e çuan Mbappen pranë vendimit për t’u larguar nga kombëtarja, por ai në fund vendosi të qëndrojë dhe të vazhdojë të përfaqësojë Francën. Sot, ai është një nga udhëheqësit e ekipit dhe një prej favoritëve kryesorë për të fituar Kupën e Botës të ardhshme.

Rrëfimi i Mbappes tregon se pas lavdisë dhe shkëlqimit, edhe sportistët më të mirë mbeten njerëz të ndjeshëm ndaj presionit dhe toksicitetit që shpesh shoqëron futbollin modern.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: