Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e regjistruar pasditen e sotme në zonën e Kamzës, ku një 30-vjeçare ka mbetur e lënduar lehtë.

Sipas policisë, rreth orës 15:30, shërbimet janë njoftuar se në poliklinikën e Kamzës është paraqitur për mjekim shtetasja me iniciale E. L., rreth 30 vjeçe.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor për të zbardhur rrethanat dhe për të identifikuar autorin e dyshuar.

Nga veprimet paraprake hetimore është bërë i mundur identifikimi dhe shoqërimi në komisariat i një 73-vjeçari, me iniciale N. Sh., banues në Laknas, për veprime të mëtejshme proceduriale.

Sipas dyshimeve paraprake, i moshuari ka qëlluar me armë gjahu me qëllim për të larguar një kafshë, por një saçmë ka devijuar duke e dëmtuar në faqe 30-vjeçaren, e cila ndodhej në oborrin e banesës së xhaxhait të saj në Laknas.

E reja, pasi ka marrë ndihmën mjekësore, është larguar drejt banesës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia bën me dije se vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb