Një ngjarje e rëndë tronditi Italinë, teksa një 12-vjeçar shqiptar ra aksidentalisht nga pjesa në hapësirën e shkallëve dhe humbi jetën ndërsa po luante me shokët. Tragjedia ndodhi në via Piave, Bolonja, Itali, ku pak para orës 19 të së premtes, Luis Pisha, një djalë 12-vjeçar humbi jetën duke rënë në hapësirën e shkallëve të një pallati. I mituri me origjinë shqiptare, së bashku me një grup shokësh, ishte ngjitur në tarracën e katit të tetë të një ndërtese në Santa Viola, raportojnë mediat italiane.

Fëmijët nuk banonin në atë ndërtesë, por sipas disa dëshmitarëve ngjiteshin herë pas here në tarracë për të luajtur. “Ishim lart për të parë perëndimin e diellit”, ka treguar njëri prej tyre, ende i tronditur, për policinë.

Hyrja në çati ishte e hapur dhe, sipas rindërtimit të hetuesve, pasi qëndruan pak, grupi kishte vendosur të zbriste. Pikërisht në momentin që po afroheshin te dera për të marrë ashensorin, Luisi ka kaluar mbi një dritare çatie që ndodhet mbi hapësirën e shkallëve.

1775288818176 Scaled
1775288818176 Scaled

Ose ndoshta ka rënë mbi të. Një moment i tmerrshëm. Rrëfimi i shokëve bëhet dramatik. Edhe pse pllaka prej plexiglasi u thye, djali fillimisht arriti të kapet. Shokët e mbajtën për krahësh për disa minuta, mes britmash dhe thirrjesh për ndihmë. Duke dëgjuar britmat, një banor i pallatit vrapoi të kërkonte një shkallë.

Por para se të mund të bënte diçka, Luisi ra në hapësirën e shkallëve për tetë kate. Përplasja ishte fatale dhe, megjithëse ndihma mjekësore mbërriti shpejt, nuk mund të bëhej më asgjë për të.

Më vonë mbërriti nëna dhe babai i 12-vjeçarit. Të dhimbshme ishin britmat e nënës që vazhdonte të përsëriste emrin e djalit: “Nuk është e mundur, nuk mund të jetë e vërtetë, më thoni që është ende gjallë, ju lutem”.

Fëmijët që ishin me viktimën dhe dëshmitarët e tjerë do të merren sërish në pyetje edhe sot për të rindërtuar sa më saktë dinamikën e ngjarjes. Trupi i 12-vjeçarit shqiptar është vënë në dispozicion të autoriteteve hetimore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb