Më 20 janar 2026, Sefedin Shefa nga Lushnja do të thërritej për tu marrë në pyetje nga Prokuroria e Vlorës nëpërmjet oficerit të policisë gjyqësore Altin Muçaj.
Ai do të pyetej në cilësinë e kallëzuesit për një grup magjistratësh, të cilët punojnë në Gjykatën dhe Prokurorinë e Fierit. Shefa do të merrej në pyetje, por kallëzimi i tij do të zinte pluhur nëpër arkivat e Prokurorisë Vlorë nëse nuk do të ishte ankuar te Avokati i Popullit.
Dëshmia nga Sefedin Shefa dhe përgjigjet nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Fierit ekspozojnë një devijim të kallëzimit nga Prokuroria e Vlorës, e cila nuk duhe tia kishte dërguar Prokurorisë së Fierit pasi kemi konflikt interesi.
Ky rast minimalisht ka konflikt interesi në dukje sepse vetë Prokuroria e Fierit nuk mund të hetojë prokurorët dhe gjykatësit e Fierit.
Por si nisi gjithçka?
Historia e Sefedin Shefës është një konflikt, që ka nisur me çështjen e rikthimit të pronës te pronari i ligjshëm. Rrugës ky konflikt është zgjeruar nga Ferit Tabaku, i cili u konstatua se kishte falsifikuar dokumentet, por i shpëtoi dënimit penal për shkak të parashkrimit ndërkohë që Shefa ka ngritur pretendime për akuzat për korrupsion ndaj magjistratëve dhe ngatërresat me kompetencat midis Prokurorisë së Fierit dhe Vlorës.
E gjithë historia fillon në vitin e largët 1958, prej një dokumenti pronësie të babait të Sefedin Shefës, i cili ia kaluar të birit.
Shefa është trashëgimtari i një trualli prej 392 metra katrorë në qendër të Lushnjës, të cilin babai i tij, Sabri Shefa, e kishte blerë në tetor të vitit 1958.
Vetëm një muaj pas blerjes, në nëntor 1958, prona u shpronësua nga regjimi komunist ndërtimin e kinemasë dimërore. Në vitin 1991, Sefedini do të niste betejën ligjore për të rimarrë këtë pronë dhe në vitin në vitin 2006 ai do të merrte një vendim nga Komisioni i Kthimit të Pronave që ia njihte pronësinë mbi këtë sipërfaqe.
Por këtu do të komplikohej situata pasi Ferit Tabaku pasi ky i fundit kishte privatizuar ish-kinemanë dimërore. Indiciet për falsifikim ishin të dukshme pasi kontrata e Tabakut kishte një gentplan me korrigjime manuale ku sipërfaqja e truallit ishte rritur në 686 metra katrorë. Edhe pse në vitin 1993 Gjykata e Lushnjës e kishte deklaruar të pavlefshme kontratën e Tabakut, ky i fundit e kishte regjistruar pronën në hipotekë në vitin 2006, duke përdorur një vendim tjetër gjyqësor të vitit 2005 që detyronte Agjencinë e Kthimit të Pronave ta njihte si zotërues.
Me rënien e komunizmit Shefa do të rikërkonte pronën e vet, ku ka qenë kinemaja, por pa arritur ta merrte atë pasi dokumentet do të falsifikoheshin nga zyrtarët vendorë me Ferit Tabakun.
Ky i fundit do të merrte kinemanë dhe më pas në atë truall që nuk ishte i tiji do të ndërtonte një pallat 12 katësh në mes të Lushnjes.
Do të ishte ky pallat që sfidon të gjitha institucionet e drejtësissë sepse edhe sot e kësaj dite shfrytëzohet nga personi që është shpallur fajtor.
Në 12 shkurt 2026, Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të informonte Sefedin Shefën se pasuritë si apartament dhe dyqane ishin të kufizuara sipas vendimit të vitit 2020 nga Gjykata e Lushnjes. Problemi është se prokurorja Merita Selimi nuk i sekuestroi asnjëherë çelësat Ferit Tabakut, i cili shfrytëzon pronën që duhet t’i kishte kaluar shtetit për shfrytëzim.
“Prokuroria e Fierit nuk është pronë private e Merita Selimit! Prokurorja Merita Selimi po e mbron me fanatizëm hajdutin sepse bashkëpunojnë orë e minutë dhe po japin hyrje me qira. Në këtë rast lind dyshimi që po ndajnë lekët bashkë sepse nuk ka asnjë arsye pasi ligji e përmban se në rast se sekuestrohet një pasuri, ndërtesë apo çfarëdo qoftë ajo, prokuroria merr çelësat, i vë drynin!”, shprehet i revoltuar Shefa.
Sefedin Shefa tregon se ka bërë ankesa për këtë gjë te Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, por gjërat do të komplikoheshin.
“Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, duke marrë parasysh të gjitha kërkesat që i kam bërë, i mbajti ato katër vite në sirtar ankesat dhe kthen përgjigje “nuk ka shkelje”. Si mor vëlla, nuk ka shkelje kjo prokurore?”, tha Sefedin Shefa, duke i bërë apel ILD-së.
Për 4 vite, ankesa do të qendronte në zyrën e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë dhe pas 4 vitesh, Inspektoriati do të dilte me vendimin se nuk kishte shkelje.
Në të njëjtën kohë, pallati 12-katësh ka qenë dhë vazhdon të shfrytëzohet nga personi me letra të falsifikuara, që supozohet se është në sekuestro duke sfiduar të gjitha institucionet e drejtësisë.
Përplasjet me magjistratët në Fier dhe kallëzimi në SPAK
Në vitin 2010, Prokuroria e Lushnjes do të niste hetimet për falsifikim dokumentesh ndaj Ferit Tabakut dhe Faslli Turkut. Gjatë hetimeve, u vërtetua se dokumentet e privatizimit ishin korrigjuar dhe se vlera e qirasë që paguante Tabaku përputhej me sipërfaqen e vogël, jo me atë të ndryshuarën. Pavarësisht gjetjeve, në maj 2016, prokuroria do ta pushonte çështjen sepse afatet e parashkrimit për ndjekjen penale kishin kaluar.
Megjithatë ky vendim do të linte në fuqi dokumentet e falsifikuara, duke i lejuar Tabakut të vazhdonte ndërtimin e pallatit mbi pronën e Sefedinit. Situata do të ndryshonte pasi Ferit Tabaku, i cili sapo kishte evituar dënimin për shkak të parashkrimit për falsifikim, do të bënte kallëzim penal kundër Sefedin Shefës. Tabaku pretendonte se dokumentet e vitit 1958 që përdorte Sefedini ishin të falsifikuara dhe Prokurorja Merita Selimi mori përsipër çështjen kundër Sefedinit
“Merita Selimi për një fjalë që hodhi dikush “do e vras, do e bëj”, u sigurua për gjashtë muaj nga organet kompetente nga policia.
Problemi i tyre, le t’i përmbahen ligjit dhe nuk më intereson. I shkaktoi shtetit dëm mbi 50-60 milionë lekë. Si ka mundësi, i nderuar gazetar, që kjo prokurore në bashkëpunim me kryesekretaren e Prokurorisë Lushnje në atë kohë, në 9 mars dha pretencën, më dha nëntë muaj burg për falsifikim dokumentash, të cilin do ta them në vazhdim dhe më 10 mars më dërgon djemtë e kryesekretares, Etleva Zaimit, për të më vrarë në dyqanin tim dhe thotë nuk ka çështje penale.
Atëherë nesër, ne si popull na mbron njeri apo na lënë që të vritemi?”, deklaroi Shefa.
Sipas këtij të fundit, kjo gjë e penalizoi për çështjet civile pasi do të dilnin probleme me magjistratët në Fier.
“Në kallëzimin penal në SPAK kam përmendur pesë emra, katër gjyqtarë dhe një prokurore.
Prokurorja është Merita Selimi, e cila sipas meje po e turbullon çështjen në të gjitha krahët. Me sa duket kjo prokurore ka rënë dakord me hajdutin e pronës time, edhe pse vetë kjo prokurore ka dhënë urdhër për ekzekutimin e bllokimit të këtyre hyrjeve dhe dyqaneve të pallatit, i cili është ndërtuar mbi pronën e babait tim. Është kjo prokurore që ka lejuar hajdutin e pronës time, Ferit Tabaku, të japë hyrjet me qira.
Madje në kallëzim penal është edhe gjyqtarja Miranda Nakaj, e cila, në kundërshtim me ligjin dhe në konflikt interesi, gjyqtarja që kam relatore në çështjen civile, ka shfrytëzuar për rreth një vit e gjysmë një hyrje në këtë pallat me kontratë qiraje të dhënë nga Ferit Tabaku. Aq më keq akoma, duke i bërë kërkesë kësaj gjykate që kjo të japë dorëheqje për këtë çështje se ka shkelur ligjin me të dyja këmbët, për inat gjyqtarja Miranda Nakaj më pezullon çështjen civile”, tha Shefa duke sqaruar edhe arsyet për padinë në SPAK.
Problemi i Sefedin Shefës u ndërlikua në gjyqin e radhës për asgjesimin e dokumenteve të falsifikuara dhe të lejes së ndërtimit të pallatit, me qellim rikthimin e pronës tek pronari.
Çështja që u gjykua në Gjykatën e Fierit do të rikthehej në Fier pas rekursit në Gjykatën e Lartë nga Ferit Tabaku si palë legjitime në këtë proces.
Përplasja në Fier përfaqëson thelbin e një beteje ku Sefedin Shefa kërkon të zhbëjë atë që ai e cilëson si një skemë gjigante të tjetërsimit të pronës përmes bashkëpunimit mes ndërtuesit dhe njerëzve të sistemit të drejtësisë. Objekti i procesit civil dhe penal në Fier lidhet me kërkesën për shfuqizimin e akteve administrative që lejuan Ferit Tabakun të ndërtonte pallatin mbi truallin që Shefa pretendon se i përket familjes së tij mbi bazën e procesverbalit të shpronësimit të vitit 1958.
Një pjesë e këtij gjykimi është vërtetimi i pavlefshmërisë së lejes së ndërtimit dhe regjistrimeve hipotekore, të cilat sipas Shefës janë kryer mbi dokumente të falsifikuara që kanë fshirë origjinën reale të pronës për t’i hapur rrugë investimit privat.
Në 9 shtator 2025, Gjykata e Fierit do të pushonte çështjen, por sipas denoncuesit Shefa gjërat nuk shkuan siç duhet.
Magjistrati Alfred Konomi do të kryente gjykimin pa praninë e prokurorit të caktuar Genci Mane. Madje seanca dëgjimore do të kishte ndërhyrje.
“Kemi kallëzuar gjyqtarin Alfred Konomi. Gjyqtar Alfred Konomi e bëri gjyqin për tre muaj pa prezencën e prokurorisë. Ligji thotë që çështjen, aktakuzën që e ka pasur prokuroria, duhet patjetër ta mbrojë prokuroria.
Nga shorti i kësaj çështjeje, prokuror u caktua Genci Mane, i cili pas 15 ditësh u hoq nga vettingu, për problemet e tij dhe faktikisht duhej të rishortohej çështja për të ardhur prokuror tjetër. Për ironi të fatit dhe për t’u habitur, le t’i shokojnë teleshikuesit se çfarë bën prokurorja Merita Selimi”, tregon Shefa.
Në vendimin e tij gjyqtari Konomi u shpreh se; “Gjykata është tërhequr për vendim, pasi shqyrtoi çështjen, dëgjoi drejt pretendimet e palëve. Në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë, i cili ka lënë dhe detyrat përkatëse, në bazë të neni 328, 329 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi rrëzimin e kërkesës së Sefedin Shefës. U shpall në Fier sot më datën 9 shtator 2025. Seanca deklarohet e mbyllur”.
Sefedin Shefa nuk do ta linte me kaq dhe do të bënte një padi në SPAK.
“Unë që e kam bërë këtë kallëzim penal, jo më kot e kam ngritur çështjen në kallëzimin penal. Nuk ka të drejtë, po e përsëris, gjyqtari Alfred Konomi me të dyja këmbët ka shkelur ligjin.
Aq më keq akoma, një prokuror i gjetur në rrugë për mendimin tim futet në sallën e gjyqit dhe thotë “çështjen e kam marrë rishtazi dhe dua kohë të njihem me çështjen”, nuk ka të drejtë gjyqtari brenda një muaji të marrë tre vendime.
Një herë e mbron organi i akuzës i përfaqësuar nga Genc Mane, një herë do të jetë pa prokuror dhe një herë do vijë prokurori, Elvis Alliu”, u shpreh Shefa.
Ai tregon se i bën kërkesë për pamjet filmike Gjykatës së Fierit, por Gjykata nuk pranoi ti vendoste në dispozicion.
Prokuroria e Vlorës dërgon viktimën te “abuzuesit”
Kallëzimi i Sefedin Shefës në fillim të vitit 2026, SPAK do t’ia delegonte Prokurorisë së Vlorës. Për 36 ditë kjo prokurori nuk do të kryente asnjë veprim përvec faktit që oficeri i policisë gjyqësore Altin Muçaj do të merrte në pyetje vetëm njëherë Shefën në 20 janar 2026.
Nga dokumentet zyrtare të Prokurorisë së Vlorës dhe korrespondencën me Avokatin e Popullit, ngjarja mund të përshkruhet si një proces zvarritjeje që përfundoi me një lëvizje të menjëhershme sapo çështja u bë publike.
Gjithçka nisi kur Prokuroria e Vlorës pranoi nga SPAK materialin kallëzues të Sefedin Shefës më datë 6 janar 2026, duke e regjistruar atë zyrtarisht më 7 janar 2026. Edhe pse dosja ndodhej në duart e tyre, dokumentet vërtetojnë se për më shumë se një muaj denoncuesi nuk mori asnjë përgjigje mbi çështjen, gjë që e detyroi Shefën t’i drejtohej Avokatit të Popullit.
“Prokuroria e Vlorës e rishqyrtoi çështjen dhe e shkeli ligjin me të dyja këmbët, sepse më mori në pyetje mua oficeri i Policisë Gjyqësore. Po mos të më kishte marrë, kishte lexuar dosjen e kallëzimit penal dhe e dërgonte”, tregon Shefa.
Më 12 shkurt 2026 do të ndodhte një paradoks që rrallë shihet në institucionin e drejtësisë. Brenda të njëjtës ditë, Prokuroria e Vlorës do ta informonte Sefedinin se e kishte regjistruar çështjen, por po në të njëjtin çast, firmosi edhe ‘internimin’ e dosjes.
Dokumentet konfirmojnë se çeshtja i ishte përcjellë aktet Prokurorisë së Fierit me argumentin se subjekti dhe vendi i krimit të pretenduar i përkasin asaj prokurorie, duke injoruar faktin që dosja ishte dërguar në Vlorë pikërisht për të shmangur konfliktin e interesit në Fier. Shkresat tregojnë se Prokuroria e Vlorës e mbajti dosjen “peng” për 36 ditë pa bërë asnjë veprim hetimor dhe sapo u vu nën presionin e Avokatit të Popullit, e hoqi çështjen nga duart duke e dërguar pikërisht te njerëzit e kallëzuar në Fier, duke mbyllur kështu rrugën e një hetimi të pavarur që kishte kërkuar SPAK.
Korrespondenca e mëvonshme e 2 prillit 2026 vërteton se Avokati i Popullit e konsideroi ankesën e qytetarit për mungesë informacioni si të bazuar, por sqaroi se nuk kishte kompetencë ligjore për të ndërhyrë në vendimin e prokurorisë për t’u shpallur moskompetente.
Vetting i bëri një kërkesë për informacion Prokurorisë së Përgjithshme për rastin e kompetencave midis Prokurorisë së Vlorës dhe Fierit për kallëzimin e Sefedin Shefës, por në dy kërkesa Prokuroria do të bënte një interpretim ligjor strikt, duke larë duart nga problemi i kompetencave midis prokurorive.
Prokuroria e Përgjithshme do të zgjidhte rrugën e teknikaliteteve ligjore, duke evituar një saktësim se kush duhet ta mbantë çështjen. Duke u bazuar në nenin 78 të Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria e Përgjithshme argumentoi se për sa kohë magjistratët nuk kanë marrë zyrtarisht cilësinë e të pandehurit, kompetenca për hetimin e tyre mbetet në prokurorinë ku pretendohet se është kryer vepra, pra në Fier. Ky interpretim krijon një anomali sepse që dosja të largohet nga Fieri, duhet që prokurorët e Fierit të marrin të pandehur kolegët e tyre të zyrës.
Por si mund të bëhesh i pandehur, kur hetimin ta bëjnë kolegët e tu të zyrës? Kjo është pyetja që Prokuroria e Përgjithshme refuzoi ta ngrinte.
“Për mendimin tim, kjo çështje nuk duhet pranuar fare në Prokurorinë e Fierit dhe në Gjykatën e Fierit, për të vetmen arsye se personat që janë kallëzuar në këtë çështje janë në këtë prokurori dhe gjykatë”, deklaroi Shefa.
Ky interpretim krijon një pengesë thuajse të pakalueshme për Shefën. Kjo pasi delegimi nga Prokuroria e Vlorës ia lë në dorë Prokurorisë së Fierit detyrën për të vendosur nëse kolegët e tyre duhet të kthehen në të pandehur.
Në këtë rast po injorohet fakti që prokurori duhet të hetojë bashkëpunëtorët e tij të ngushtë me të cilët ndan zyrat çdo ditë. Më e pakta në këtë rast kemi konflikt në dukje të interesit pasi të kallëzuarit nuk mund të hetojnë vetëveten.
Prokuroria e Përgjithshme sqaron se ndonëse Prokuroria e Vlorës kishte detyrimin ligjor t’i pranonte aktet kur ato u dërguan nga SPAK, kjo nuk e pengonte Vlorën që pas regjistrimit të shpallte moskompetencën dhe t’i përcillte ato diku tjetër. Institucioni mënjanohet duke thënë se ata ndërhyjnë vetëm kur ka një mosmarrëveshje formale mes dy prokurorive, por meqë Vlora e nisi dosjen dhe Fieri e pranoi, nuk ekziston asnjë konflikt zyrtar që kërkon ndërhyrjen e Prokurorit të Përgjithshëm.
“Këtu lind pyetja, a ekziston ligjërisht dhe logjikisht një çështje e tillë që nga një prokurori e shkallës së parë të shpallë moskompetencë dhe ta dërgojë çështjen në prokurorinë e shkallës së parë tek personat që u është bërë kallëzim penal nga ana ime?
Përgjigjja ime është: është shkelur ligji për mua”, thotë me bindje Sefedin Shefa.
Prokuroria e Fierit ka vendosur mosfillimin e procedimit penal në 23 shkurt 2026 dhe në 10 prill 2026, Sefedin Shefa ka seancën gjyqësore për të kundërshtuar këtë vendim para gjyqtarit Noel Veizi.
