Bilanci i përmbytjeve katastrofike që kanë goditur Nepalin është rënduar ndjeshëm. Sipas shifrave të fundit të raportuara nga policia, 157 persona kanë humbur jetën, ndërsa qindra të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Pamje dramatike nga zona të ndryshme të vendit tregojnë masa të mëdha uji dhe balte që kanë përfshirë rrugë, banesa dhe ndërtesa të tëra. Autoritetet druhen se bilanci i viktimave mund të rritet më tej, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në zonat më të prekura. Sipas policisë, viktimat janë regjistruar në disa zona: Rasouva – 3, Nouakchott – 13, Danding – 27, Çitvan – 64, Gorkha – 19, Tanahun – 9 dhe Navalparasi Lindore – 2.

Qindra persona rezultojnë të zhdukur

Situata është veçanërisht shqetësuese për turistët dhe udhëtarët që ndodheshin në rajonet e prekura pranë kufirit me Tibetin. Ministria e Turizmit e Nepalit njoftoi se 403 persona rezultojnë të zhdukur, mes tyre 341 shtetas të huaj. Ndërkohë, Bordi i Turizmit të Nepalit ka regjistruar 384 udhëtarë të zhdukur, përfshirë 93 nepalezë dhe 291 shtetas të huaj.

Mes të huajve të zhdukur raportohet se janë 142 shtetas indianë dhe 17 malajzianë, ndërsa kombësia e 111 personave ende nuk është përcaktuar.


Raportohet gjithashtu se 12 persona të zhdukur janë shtetas britanikë, katër nga Afrika e Jugut, tre nga SHBA-ja, një nga Australia, një nga Holanda dhe një nga Portugalia. Tetë shtetas koreano-jugorë, të cilët punonin në një hidrocentral në Rasua, pranë kufirit me Kinën, rezultojnë gjithashtu të zhdukur.

Nga ana tjetër, dy turistë italianë dhe guida e tyre, të bllokuar nga një rrëshqitje dheu, janë gjetur nga ekipet e shpëtimit. Në përpjekje për të ndihmuar operacionet e shpëtimit, Bashkimi Evropian ka aktivizuar sistemin satelitor Copernicus për monitorimin dhe hartëzimin e zonave të goditura nga përmbytjet.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se sistemi do të ndihmojë në identifikimin e zonave të prekura dhe në mbështetjen e ekipeve që operojnë në terren. “Copernicus është aktivizuar për të ndihmuar në hartëzimin e zonave të prekura në Nepal dhe për të mbështetur operacionet e ndihmës në terren”, deklaroi von der Leyen, duke shtuar se BE-ja është e gatshme të ofrojë ndihmë të mëtejshme. Me qindra persona ende të zhdukur dhe operacionet e kërkim-shpëtimit në zhvillim, frika për një bilanc edhe më të rëndë mbetet e madhe.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: