Egnatia vazhdon të konfirmohet si skuadra më e fortë në transfertë këtë sezon. Me plot 25 pikë të grumbulluara në 15 ndeshje larg fushës së saj, rrogozhinasit kanë ndërtuar një identitet të qartë: një ekip që nuk ndikohet nga presioni i publikut kundërshtar dhe që di të marrë maksimumin edhe në terrene të vështira.
Kjo e bën atë, deri më tani, kampionen e padiskutueshme të transfertave, duke lënë pas çdo rival tjetër në këtë aspekt. Ky bilanc nuk është rastësi. Disiplina taktike, qetësia në menaxhimin e momenteve kyçe dhe efikasiteti në sulm kanë qenë elementët që e kanë çuar Egnatian në këtë nivel.
Për këtë arsye, sfida e radhës në kryeqytet ndaj Tiranës nuk shihet si një pengesë e pakapërcyeshme, por si një tjetër mundësi për të forcuar statusin e saj si “mbretëresha e transfertave”. Sigurisht, përballja me bardheblutë nuk pritet të jetë e lehtë. Tirana mbetet një kundërshtar me histori dhe cilësi, sidomos në fushën e saj. Megjithatë, Egnatia shkon pa frikë në këtë duel, me një objektiv të vetëm dhe të qartë: fitoren. Çdo rezultat tjetër do të konsiderohej një hap prapa në misionin për të ruajtur deri në fund “kurorën” e ekipit më të mirë në transfertë.
LUFTA E FTOHTË – Në kahun tjetër, gara për titull është shndërruar në një “luftë të ftohtë” mes Egnatias, Vllaznisë dhe Elbasanit. Me mungesën e përballjeve direkte mes tyre deri në fund të kampionatit, gjithçka do të vendoset në distancë, me secilën skuadër që vëzhgon me kujdes hapat e rivalëve. Rrogozhinasit janë të vetëdijshëm se nuk kanë më në dorë gjithçka.
Ata duhet të bëjnë detyrën e tyre në çdo ndeshje dhe njëkohësisht të shpresojnë për një hap fals nga Vllaznia, për të goditur në momentin e duhur dhe për të rrëmbyer kreun. Është një garë nervash, ku çdo gabim mund të peshojë rëndë. Nga ana tjetër, edhe presioni nga pas është real. Elbasani ndjek nga shumë pranë, me vetëm një pikë më pak, duke e bërë çdo ndeshje vendimtare për Egnatian.
Çdo lëshim mund të kushtojë jo vetëm kreun, por edhe pozicionin aktual në renditje. Në këtë panoramë të tensionuar, Egnatia duket e përqendruar dhe e vendosur. Transfertat, që për shumë skuadra janë një pengesë, për të janë kthyer në armën më të fortë. Dhe pikërisht mbi këtë armë synon të ndërtojë sprintin final drejt objektivave madhorë të sezonit.
