Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka nisur një vizitë zyrtare 3-ditore në Suedi, ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të lartë të parlamentit suedez.

Gjatë ditës së parë, Gjekmarkaj u takua me Nënkryetarin e Parë të Parlamentit suedez, Kenneth G. Forslund, si dhe me Kryetarin e Komisionit për Punët e Jashtme, Aron Emilsson, dhe Nënkryetaren e Komisionit për Bashkimin Evropian, Matilda Ernkrans.

Gjekmarkaj bëri me dije se gjatë takimeve janë diskutuar edhe sfidat kryesore të demokracisë në Shqipëri, duke përmendur legjitimitetin e zgjedhjeve, pavarësinë e drejtësisë dhe funksionimin e institucioneve. Ai ngriti gjithashtu shqetësime për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, duke përmendur presione ndaj sistemit të drejtësisë dhe, sipas tij, cenim të të drejtave të opozitës.

Sipas deputetit demokrat, këto çështje janë pritur me mirëkuptim nga pala suedeze, e cila ka shprehur gatishmëri për të mbështetur Shqipërinë në përballimin e sfidave dhe në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Postimi i plotë:

Vizitën zyrtare 3-ditore në Suedi pata kënaqësinë ta nis me një takim të rëndësishëm dhe dreke pune me Nënkryetarin e Parë të Parlamentit, Z. Kenneth G. Forslund, së bashku me Kryetarin e Komisionit për Punët e Jashtme, Z. Aron Emilsson, dhe Nënkryetaren e Komisionit për Bashkimin Evropian, Znj. Matilda Ernkrans.
Në emër të Partisë Demokratike dhe liderit të saj, Prof. Dr. Sali Berisha, shpreha mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që institucionet dhe populli suedez i kanë dhënë Shqipërisë gjatë 35 viteve të tranzicionit demokratik. I garantova për angazhimin tonë të plotë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në avancimin e procesit të integrimit evropian të vendit tonë.
Gjatë takimit ndamë shqetësimet kryesore që lidhen me sfidat e demokracisë në Shqipëri: legjitimitetin e zgjedhjeve, pavarësinë e drejtësisë dhe funksionimin e plotë të Parlamentit. Diskutuam gjithashtu problematikat e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit 2025, presionin ndaj institucioneve të drejtësisë dhe cenimin e vazhdueshëm të të drejtave të opozitës.
Këto çështje u pritën me mirëkuptim nga parlamentarët suedezë, të cilët shprehën gatishmërinë për të mbështetur Shqipërinë në përballimin e këtyre sfidave dhe në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Po ashtu, u njoftuam se një delegacion nga Komisioni për Punët e Jashtme do të vizitojë Shqipërinë muajin e ardhshëm për të parë nga afër këto zhvillime.
Mirënjohës për mikpritjen dhe dialogun e hapur, bashkëpunimi dhe mbështetja ndërkombëtare mbeten kyçe për një Shqipëri më demokratike dhe më pranë Evropës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb