Delegacioni i Bashkimi Evropian në Tiranë ka reaguar për “News24” lidhur me ndryshimet e fundit në ligjin “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”, të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë.
Në reagimin e tij, delegacioni thekson se është në dijeni të miratimit të këtyre ndryshimeve dhe se ato do t’i nënshtrohen një vlerësimi të detajuar nga shërbimet përkatëse të BE-së, veçanërisht në aspektin e prokurimit publik dhe përputhshmërisë me legjislacionin europian.
Sipas BE-së, kuadri ligjor i unionit kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe në sektorin e porteve turistike.
Gjithashtu, në reagim theksohet se teksti i ri përfshin elementë të ngjashëm me ato të ligjit për Investitorët Strategjikë, një ligj që Shqipëria pritet ta shfuqizojë në kuadër të angazhimeve të saj në procesin e integrimit.
Delegacioni i BE-së nënvizon se Shqipëri duhet të shmangë çdo hap që bie ndesh me këto angazhime, të cilat lidhen me Agjendën e Reformave dhe përmbushjen e kushteve për mbylljen e Kapitullit 27 në negociatat për anëtarësim.
Reagimi i plotë i Delegacionit të BE në Tiranë për News24:
Ne jemi në dijeni se Parlamenti miratoi ndryshime në Ligjin “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”. Ndryshimet do të duhet të vlerësohen nga afër nga shërbimet tona, veçanërisht në fushën e prokurimit publik dhe përputhshmërinë e tyre me legjislacionin e BE-së, i cili kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe për portet.
Gjithashtu kuptojmë se teksti i ri përfshin dispozita të pranishme në Ligjin për Investitorët Strategjikë. Ky është një ligj që Shqipëria pritet ta shfuqizojë si pjesë e hapave të Agjendës së Reformave dhe në kuadër të kushteve përmbyllëse për Kapitullin 27. Shqipëria duhet të përmbahet nga çdo hap që bie ndesh me këto angazhime.
