Tensione janë shënuar pas përfundimit të fjalimeve politike në protestën e Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë në bulevardin kryesor të Tiranës.

Pas mbylljes së fjalimeve, situata u përshkallëzua, ndërsa policia ndërhyri duke përdorur forcën për të shpërndarë turmën. Sipas raportimeve nga terreni, disa protestues janë goditur dhe ndaluar nga efektivët.

Ndërkohë, organizatorët raportohet se kanë bërë thirrje që protestuesit të zhvendosen drejt ambienteve të Kuvendit, ku pritet të vijojë tubimi.

Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, një pjesë e protestuesve dhe disa deputetë të Partisë Demokratike vijojnë të qëndrojnë në bulevard.

Gjithashtu, mësohet se sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, ka mbetur i lënduar si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës gjatë përplasjes me policinë.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa pritet të shihet nëse protesta do të zhvendoset drejt Kuvendit dhe si do të evoluojë zhvillimi i mëtejshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb