Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar më shumë se 40 milionë dollarë për forcimin e sigurisë kibernetike në Shqipëri dhe mbrojtjen e infrastrukturës digjitale nga kërcënimet e sponsorizuara nga qeveri të huaja.

Kështu ka deklaruar Ambasadori i SHBA,  Eric Wendt në Konferencën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Shqipërisë.

Gjatë konferencës, diplomati amerikan ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në forcimin e qëndrueshmërisë digjitale, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve për përballimin e kërcënimeve kibernetike.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe përgatitjes së specialistëve të rinj në fushën e sigurisë kibernetike, përmes programeve të përbashkëta të trajnimit, përfshirë nismën CyberNext.

Sipas Ambasadës Amerikane, investimet dhe bashkëpunimi synojnë jo vetëm rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë, por edhe forcimin e sigurisë së infrastrukturës digjitale të vendeve aleate të NATO-s.

“Shtetet e Bashkuara kanë investuar më shumë se 40 milionë dollarë për të forcuar mbrojtjen e Shqipërisë ndaj kërcënimeve kibernetike të sponsorizuara nga qeveri të huaja. Në Konferencën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Shqipërisë, Ambasadori Eric Wendt vuri në pah përparimin e Shqipërisë në forcimin e qëndrueshmërisë digjitale dhe trajnimin e ekspertëve të ardhshëm përmes partneritetit me Shtetet e Bashkuara, përfshirë programe si CyberNext. Së bashku, po ndërtojmë një infrastrukturë digjitale më të fortë e më të sigurt për Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb