Efektivë të “Shqiponjave” kanë ndërhyrë menjëherë sapo protestuesit hodhën shishe me molotov dhe fishekzjarre drejt godinës së Kryeministrisë. Një reagim i beftë ky i cili nuk është parë në protestat e kaluara.
Siç shihet nga pamjet që sjell BalkanWeb, me mbarimin e fjalës së liderit të opozitës, Sali Berisha, të ashtuquajturit “grupi i zjarrit” i PD, hodhën sende plasëse drejt ndërtesës qeveritare, një skenar i përsëritur ky.
Policia arrin të ndërhyjë deri në mesin e turmës dhe shoqëron disa nga protestuesit.
Gjatë ndalimit të mbështetësve të PD, policët përdorën edhe spraj e gaz lotsjellës duke bërë që disa militantë dhe drejtues të PD si Flamur Noka e Luçiano Boçi të marrin lëndime në fytyrë dhe sy.
I lënduar mbeti edhe gazetari e aktivisti Aulon Kalaja, i cili u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.
