Avokati Genc Gjokutaj ka deklaruar se kryeministri Edi Rama është dëshmitar kyç sa i përket çështjes “Partizani”.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 me Nisida Tufën, Gjokutaj u shpreh se me thirrje e tij nga Gjykata e Posaçme si dëshmitar, Rama do të detyrohet të thotë të vërtetën, pasi do të dëshmojë nën betim.
“Në konceptin juridik një çështje hetohet dhe prokurori vendos nëse do ta pushojë apo do ta çojë në gjyq. Nuk ka mbretëreshë provash në një proces, të gjitha provat janë në funksion të zbulimit të së vërtetës. Thirrja e Ramës është bërë nga gjykata jo nga SPAK, hetimi ka mbaruar. SPAK për arsye që nuk dua t’u vë emër, duke pasur parasysh sfondin politik të çështjes, SPAK ka qenë mbrojtëse e mazhorancës dhe Ramës, ne e kemi kërkuar disa herë që Rama të pyetet. Rama është dëshmitar kyç në këtë proces, jo një dëshmitar periferik që dëgjoi diçka në një kafe.
E kemi kërkuar pyetjen e tij edhe në përfundim të hetimeve. Rama në cilësinë e kreut të bashkisë mori vendimin për kalimin e klubit partizani nga klub sportiv në truall ndërtimi, kur retorika është e ndryshme, thuhet që ishte Berisha për të favorizuar dhëndrin. Lejen e dha vetë Rama, leje që nuk e zbardhte. Rama si dëshmitar do të jetë nën hetim do detyrohet të thotë të vërtetën. Kjo është vlera e madhe historike e kësaj thirrje. Ai nuk është thirrur kurrë më parë në një gjë të tillë që të mbajë përgjegjësi për atë që thotë”, tha ai.
