Kompania One Albania dyshohet se nuk ka bashkëpunuar plotësisht me autoritetet ligjzbatuese gjatë hetimeve për mashtrimet me call center.
Sipas dokumenteve të Gjykatës së Tiranës që disponon News24, autoritetet shqiptare i kanë dërguar disa kërkesa zyrtare kompanisë për të identifikuar përdoruesit e adresave IP që dyshohej se përdoreshin për aktivitet të paligjshëm. One Albania nuk ka vënë në dispozicion të dhënat e kërkuara, ndryshe nga operatorë të tjerë që kanë bashkëpunuar me informacione për klientët.
Në dokumentet e gjykatës theksohet se mungesa e këtij informacioni ka krijuar vështirësi konkrete në avancimin e hetimeve, duke detyruar autoritetet të kërkojnë ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë. Madje, policia i ka kujtuar kompanisë edhe përgjegjësinë penale në rast të mosbashkëpunimit apo vonesave në dhënien e informacionit.
Në një përgjigje zyrtare të datës 19 dhjetor 2024, kompania ka argumentuar se adresat IP në fjalë janë publike dhe se nuk ka mundësi teknike për të identifikuar përdoruesit konkretë pa të dhëna shtesë, si IP-të fundore. Pavarësisht këtij qëndrimi, autoritetet kanë vijuar t’i kërkojnë informacion shtesë dhe kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për hetimin.
Ndërkohë, në terren, Policia e Shtetit ka vijuar aksionin duke sekuestruar orët e fundit rreth 200 kompjutera të tjerë në ambiente të dyshuara si call center në Tiranë.
Operacioni “Ghost Call”, i zhvilluar pas një hetimi 2-vjeçar në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe me mbështetjen e Europol, ka çuar në zbulimin e 12 ambienteve të përfshira në këtë veprimtari.
Deri më tani janë arrestuar 10 persona, ndërsa disa të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjithashtu janë sekuestruar mbi 891 mijë euro, qindra pajisje elektronike dhe prova të tjera që dyshohet se lidhen me skemën e mashtrimit.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht këtë rrjet dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e të gjithë aktorëve të përfshirë.
