Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), z. Gentian Sala, së bashku me përfaqësues të institucionit, mirëpriti sot në një vizitë pune monitoruese, Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm si dhe Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Vizita, e cila u kryesua nga kryetarët reciprokë të komisioneve, znj. Anila Denaj dhe z. Fatmir Xhafaj, kishte në fokus përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe funksioneve rregullatore të institucionit, duke u përqendruar njëkohësisht edhe në rolin e AKEP-it në rregullimin dhe zhvillimin e sektorit të komunikimeve elektronike dhe postare.
Takimi shërbeu për të forcuar dialogun ndërinstitucional dhe për të garantuar një kontroll parlamentar më efektiv mbi funksionimin e sektorëve strategjikë, si dhe për të identifikuar sfidat dhe nevojat për përmirësim në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm dhe transformimit digjital.
Në fjalën e tij, Kryetari i AKEP-it theksoi se ky bashkëpunim i drejtpërdrejtë me Kuvendin është thelbësor për të rritur transparencën dhe për të garantuar shërbime më cilësore për qytetarët në një sektor që po zhvillohet me ritme të shpejta.
