Bashkëkryetari i komisionit parlamentar për Reformën Territoriale, deputeti i PD Luçiano Boçi, theksoi nga Lezha, gjatë një bashkëbisedimi, se reforma e re duhet të jetë një produkt konsensual dhe i ndërtuar mbi vullnetin e qytetarëve.
Duke iu referuar reformës së vitit 2015, Boçi sqaroi se Partia Demokratike nuk e kishte braktisur procesin, por se ai ishte vendosur politikisht nga mazhoranca. “Në 2015 nuk pati konsensus real. Reforma u imponua dhe rezultatet i kemi sot përpara: një model që nuk funksionon siç duhet,” u shpreh ai.
Sipas tij, ndryshe nga ajo periudhë, reforma aktuale duhet të ndërtohet nga poshtë-lart, duke dëgjuar qytetarët dhe duke reflektuar nevojat reale të komuniteteve. Ai paralajmëroi se çdo tentativë për të vijuar me të njëjtën logjikë do të prodhojë të njëjtin rezultat.
Boci ngriti edhe çështjen e numrit të bashkive, duke kundërshtuar qasjen për reduktimin e tyre pa një marrëveshje të gjerë politike dhe shoqërore. “Nëse në fund PS bën atë që kërkon – uljen e bashkive pa konsensus – çfarë fitojmë? E pranuam një herë dhe çfarë solli? Dështim. Nëse ndjekim të njëjtën rrugë, do të kemi të njëjtin rezultat,” deklaroi ai.
Në këtë kontekst, ai theksoi se Partia Demokratike mbron një model me më shumë bashki dhe më shumë autonomi vendore, si një mënyrë për të përmirësuar shërbimet dhe për të ruajtur lidhjen me komunitetin. Sipas Bocit, vetëm një reformë e ndërtuar mbi konsensus dhe mbi interesin e qytetarëve mund të garantojë funksionimin real të pushtetit vendor dhe të shmangë përsëritjen e gabimeve të së kaluarës.
