Hetimet për ish-zv. kryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda balluku janë zgjatur edhe për tre muaj të tjerë, përderisa prokurorët e posaçëm arsyetojnë se janë duke kryer veprime të tjera që i konsiderojnë të domosdoshme për çështjen.

Vendimi mbi 100 faqe për zgjatjen e afateve të hetimit është firmosur nga prokurori i posaçëm Dritan Prençi më datë 13 prill dhe iu është komunikuar avokatëve të të pandehurve.

Në këtë dokument, SPAK arsyeton se nevojitet më shumë kohë për të marrë dëshmitë e personave që kanë dijeni për rrethanat e hetimit, që janë ish-vartës dhe njerëz të
besuar të Ballukut, si dhe është duke bërë kqyrjen e celularëve dhe pajisjeve kompjuterike që u sekuestruan përgjatë kontrolleve të kryera në dhjetor 2025 dhe janar 2026.

Belinda Balluku është e pandehur për shkelje e barazisë në tendera kryer në bashkëpunim lidhur me tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për të gjitha lotet e Unazës së Madhe. SPAK thotë se nga zbërthimi i celularit të Evis Berberit, ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar u gjetën mesazhe që ai kishte shkëmbyer me Ballukun për paracaktimin e tenderave. Nën akuzë janë dhe Erald Elezi ish-administratori i Korporatës Energjitike Shqiptare dhe Gentian Gjylish kreu i ARSH-së dhe disa ish vartës të tjerë të Ballukut.

Ndaj ish-numrit dy të qeverisë janë në fuqi dy masa sigurie, ajo e ndalimit për të dalë jashtë vendit dhe pezullim nga ushtrimi i funksioneve, ndonëse Belinda balluku është shkarkuar nga postet qeveritare. SPAK kërkoi leje për arrestimin e të besuarës së Edi Ramës por kërkesa u rrëzua nga maxhoranca.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb