Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të rëndësishme të kombit shqiptar.
Në mesazhin e tij, Minxhozi u shpreh i prekur nga humbja, duke thënë: “Me dhimbje të thellë mësova lajmin për ndarjen nga jeta të Akademikut Rexhep Qosja, rilindasit të fundit të Kombit Shqiptar”.
Ndërkohë, familjarët e të ndjerit kanë bërë të ditur se ceremonia e varrimit është zhvilluar në Prishtinë, vetëm në praninë e rrethit të ngushtë familjar. Sipas tyre, në përputhje me dëshirën e vetë akademikut, nuk do të organizohen pritje familjare dhe nuk do të ketë pjesëmarrje në aktivitete institucionale për homazhe apo ngushëllime.
Ndarja nga jeta e Rexhep Qosja ka sjellë një valë reagimesh nga figura publike, akademike dhe politike në të gjithë hapësirën shqiptare, të cilat kanë vlerësuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në letërsi, histori dhe mendimin kritik shqiptar.
