Emisioni investigativ Vetting, News24

Menaxhimi i fondeve publike është një nga temat më të përfolura në Republikën e Shqipërisë, për shumë vite me rradhë tashmë. Kjo jo vetëm pasi ka të bëjë me paratë e taksapaguesve shqiptarë por edhe me ndjeshmërinë e besimit të qytetarëve, të cilët ndonëse shpesh të zhgënjyer nga mënyra se si administrohen këto fonde, përsëri mundohen të jenë sa më korrektë me detyrimet e tyre.

Megjithatë, ky problem mbetet ende aty, pasi sipas të dhënave dhe rasteve të ndryshme, ka ende kompani, të cilat përfitojnë nga fondet publike kunddrejt shërbimit që ofrojnë, por shërbimi nuk duket ndokund apo të indetifikohet në praktikë.

“Ku ka një zë, nuk është pa gjë. E thonë edhe shqiptarët, por e thonë edhe kultura të ndryshme, në forma të ndryshme. Këto janë ndryshime të qëllimshme për të krijuar, do me thënë, bindjen që ti të fillosh të investigosh për evazion fiskal”, shprehet avokate Margarita Kola.

Kështu, pikëpyetje ngrihen mbi aktivitetin financiar të kompanisë private “Consulting & Management Albania” sh.p.k., e cila operon gjerësisht me institucionet shtetërore.

Në fokus të dokumentave të siguruara nga burime pranë strukturave të hetimit, kjo kompani, nën pronësi të Ervis Myftarit, së bashku me kompaninë “R & T” sh.p.k., të R.T, dyshohet se marrin fonde të mëdha nga kontratat publike, konkretisht me “Albcontrol” sh.a. Ky i fundit është institucioni përgjegjës për navigacionin ajror në Shqipëri.

Megjithatë, nga gjetjet e “Vetting” dhe nga të dhënat e siguruara, lind dyshimi se të ardhurat e këtyre dy kompanive, administratorët e të cilëve njihen prej vitesh, mund të mos jenë në përputhje me aktivitetin e tyre real ekonomik. Dyshime të njëpasnjëshme ngrihen për evazion fiskal dhe një dëm të mundshëm ekonomik nga tenderat për më shumë se 400 milionë lekësh, përgjatë viteve të fundit në buxhetin e shtetit nga këta tre aktorë kryesorë.

“Normalisht, kompanitë duhet të tregojnë transparencë për mirëmenaxhimin e fondeve publike, që marrin dhe garantimin që këto para shkojnë për qëllimin kryesor për të cilin bëhet tenderi. Kjo duhet të jetë e padiskutueshme dhe transparenca duhet të ndiqet jo vetëm në momentin e marrjes së tenderit, por në të gjithë procedurën deri në përfundimin e dhënies së shërbimit”, shprehet për “Vetting”, avokati Redi Ramaj.

KUSH JANË AKTORËT KRYESORË?

“Consulting & Management Albania” sh.p.k është një kompani, e themeluar në vitin 2008 dhe sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, ka si objekt aktiviteti fushën e konsulencës dhe të shërbimeve teknike, së bashku me disa fusha të tjera të ngjashme.

Megjithatë, sipas të dhënave të publikuara nga opencorporates.al, të ardhurat më të konsiderueshme të kompanisë filluan të vinin në vitin 2012, ku fitimi vjetor arriti rreth 50 milionë lekë në vit. Deri në vitin 2017, të ardhurat nga aktiviteti ekonomik mbeteshin afërsisht të njëjtit nivel.

Nga ana tjetër, krejt papritur kjo kompani në vitin 2018, filloi të kishte të ardhura vjetore, të cilat llogariteshin deri në shumën 219 milionë lekësh të reja.

Deri në këtë periudhë, administrator i “Consulting & Management Albania” sh.p.k., ishte Skënder Bedalli. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit, Bedalli pritej të mbante pozicionin e tij, deri në vitin 2024, por në vitin 2019, shfaqet Ervis Myftari, i cili bleu kompaninë për vetëm 1000 euro.

Kujtojmë se kompania e Myftarit është përmendur në dosjen SPAK ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci. Beci, së bashku me bashkëshorten e Evis Berberit, Adela Ruko dhe Jonid Kazani janë nën hetim për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande”.

Sipas SPAK, këta të pandehur kanë krijuar avantazhe privilegjuese në tenderin e KESH sh.a., gjatë kohës që Benet Beci ishte drejtues i korporatës. Tenderi në fjalë kishte fondin limit prej 69 milionë lekësh, në vitin 2019.

Në atë kohë, ofertues dhe fitues doli vetëm “Consulting & Management Albania”.

Kështu, në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Myftari u regjistrua si administrator i “Consulting & Management Albania” në vitin 2020, i cili vazhdon të mbajë këtë pozicion deri më sot. Një vit më vonë, kompania nisi të kishte fitime me mbi 300 milionë lekë të reja në vit.

Sipas të dhënave të siguruara nga “Vetting”, pothuajse 90% e të ardhurave e kësaj kompanie vijnë nga fondet e tenderave të lidhur me “Albcontrol” sh.a.

“Kur flasim për para publike, kompanitë duhet të jenë shumë transparente dhe të shmangin çdo dyshim për situata joligjore që dëmtojnë interesat e qytetarëve dhe çojnë në abuzim me fondet publike”, shprehet avokat Redi Ramaj.

“Albcontrol” sh.a., është aktori tjetër në këtë trekëndësh të dyshuar për evazion fiskal. Ky institucion është nën administrimin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe ka për detyrë menaxhimin e hapësirës ajrore shqiptare.

Sipas openspending.al., “Albcontrol” ka zhvilluar 15 tendera me “Consulting & Management Albania” sh.p.k., nga viti 2018-2025, me vlera që variojnë nga 3 milionë lekë të reja e deri në 75 milionë lekë të reja, për shërbime të ndryshme. Të gjitha këto shkojnë në shumën totale prej 496 milionë lekësh të reja. Ndërkohë, nëntë prej tyre rezultojnë me flamuj të kuq, element ky që ngre shqetësimin se në procedurat e prokurimit ka patur avantazhe për këtë kompani, në mënyrë që të përfitohen fondet publike.

“Një nga elementët e konkurrencës është pjesëmarrja e shumë kompanive ne farë. Në çdo tender publik dueht të ketë garë reale. Fakti që merr pjesë vetëm një kompani ose që kriteret bëhen specifikisht për një kompani, tregon shkelje të konkurrencës dhe favorizim”, shpjegon më tej avokati Ramaj.

Megjithatë, burimet jozyrtare thonë për “Vetting” se duke qenë se fitimet e “Consulting & Management Albania” janë të mëdha, dyshohet se për t’iu shmangur detyrimeve tatimore, Ervis Myftari kryen kontrata blerjesh fiktive me kompaninë e R.T, “R & T” sh.p.k. “R & T” është një kompani e themeluar në vitin 1995, e cila operon në disa fusha si konsulencë, studime, mirëmbajtje IT, software etj.

Sipas të dhënave të publikuara nga opencorporates.al, edhe pse kompania është krijuar në vitin 1995, xhiroja e saj më e madhe vjetore fillon të shfaqet në vitin 2010, duke arritur në rreth 3,5 miliardë lekë.

Gjatë viteve, kompania ka regjistruar fitime të konsiderueshme, me luhatje të herëpashershme, por duke mbetur përgjithësisht në nivele të larta, në rangun e miliardave.

Ashtu si “Consulting & Management Albania”, edhe R.T ka indicie se ka përfituar nga fondet publike me “Albcontrol” dhe KESH, me kontrata me vlera që variojnë nga 12 milionë lekë-57, 6 milionë lekë të reja, përgjatë viteve 2022-2024 Këto kontrata me afat 1-vjeçar rezultojnë përsëri të shënuara me flamurin e kuq, për shkak të mungesës së konkurrencës.

Normalisht, çdo tender publik duhet të ketë garë. Mundt ë ketë raste të veçanta kur garon vetëm një operator, por në përgjithësi duhet të ketë disa operatorë dhe konkurrenca duhet të bëhet në cilësi dhe çmim. Nuk mund të zgjidhet vetëm një operator pa konkurrencë”, thotë avokati Ramaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb