Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka komentuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 takimin e fundit mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, duke e cilësuar atë pa përmbajtje konkrete.

Duke iu referuar takimit mes Edi Rama dhe Kyriakos Mitsotakis, Këlliçi u shpreh se ai ka shërbyer më shumë për imazh sesa për rezultate reale politike apo ekonomike.

“Takimi ka qenë mundësi për ca foto të bukura dhe për t’u komentuar nëse Rama veshi atlete apo jo”, deklaroi ai.

Deputeti demokrat tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë kanë pësuar një përkeqësim krahasuar me periudhat e mëparshme, duke sjellë si shembull bashkëpunimin ekonomik dhe politik në vitet e kaluara.

Sipas tij, në të shkuarën Greqia ka qenë një nga vendet që ka mbështetur Shqipërinë në procese të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave.

Ai shtoi se në atë periudhë kishte gjithashtu një nivel më të lartë bashkëpunimi ekonomik, me investime të shumta nga kompani greke në Shqipëri, ndërsa sot, sipas tij, ky trend është zbehur ndjeshëm.

“Sot kemi një situatë 180 gradë ndryshe nga ajo që ka qenë më parë”, u shpreh Këlliçi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb