Kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, ka propozuar një ndërhyrje në legjislacion lidhur me statusin e specialistëve të marrëdhënieve me jashtë, duke theksuar se aktualisht roli i tyre është i kufizuar nga statusi i nëpunësit civil. Sipas Brahos, kjo situatë krijon vështirësi në praktikë, sidomos gjatë ekzekutimit të letërporosive që vijnë nga autoritetet e huaja. Në shumë raste, këto procedura kërkojnë përfshirjen e hetuesve, çka sjell ngarkesë shtesë për strukturat hetimore.

Për të zgjidhur këtë problematikë, drejtuesi i SPAK sugjeron që specialistëve t’u jepet statusi i Oficerit të Policisë Gjyqësore. Sipas tij, një ndryshim i tillë do të rriste efikasitetin në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe do të përshpejtonte procedurat hetimore që lidhen me kërkesat nga jashtë vendit. Braho theksoi se rregullimi ligjor do të ndihmonte në ndarjen më të qartë të detyrave dhe do të ulte ngarkesën e panevojshme mbi prokurorët dhe hetuesit e strukturës.

“Letër-porositë që vijnë apo dërgohet nga SPAK nuk kalojnë në Prokurorinë e Përgjithshme por ekzekutohen nga SPAK vetë. kjo është e mirë sepse i jep SPAK rol aktiv dhe shumë të drejtpërdrejtë në hetime. Kemi kërkuar të rishikohet statusi i specialistëve që janë pjesë e sektorit. Lind nevoja që shumë veprime të kryen prej tyre, që të kryesh veprime duke të kesh statusin e Oficerit të Policisë Gjyqësore por kanë të nëpunësit. Ky ngërç të rregullohet me ligj që veprimet r tyre të mos jenë të diskutueshme proceduralisht. Nëse specialistët ndërlidhës do të kenë këtë status, kjo do të sjellë që si pasojë hetuesi të mos jetë i ngarkuar me këtë procedurë”, tha Braho.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb