Dinamo ka lënë pas fitoren me Vllazninë në Kupën e Shqipërisë që e çoi në finale dhe menjëherë nisi përgatitjet për sfidën e sotme ndaj Flamurtarit.
Të besuarit e Dajës do të synojnë të krijojnë një vazhdimësi në javët e mbetura, për të pasur shansin që të jenë më pranë garës për titullin kampion dhe që sot mund të vendoset nëse Dinamo do të jetë mes pretendentëve apo jo. Blutë do të sfidojnë Flamurtarin që e gjejnë në një moment shumë të keq dhe çdo pikë në kampionat, mund të jetë vendimtare për objektivat e tyre në luftën për mbijetesë ndërkohë që humbja e Partizanit në derbi ndaj Tiranës, mund të jetë një motivim më shumë për Dinamon.
Aktualisht, dy skuadrat ndajnë vendin e katërt në barazim pikësh por Dinamo ka edhe një ndeshje më pak dhe një fitore, do ta shkëpuste me 3 pikë. Nëse në pamje të parë duket një diferencë prej vetëm 3 pikësh, për Dinamon është shumë më shumë duke qenë se në javën e fundit, është edhe përballja direkte mes Dinamos dhe Partizanit dhe për momentin, bilanci i përballjeve direkte është i barabartë.
Një humbje minimale në derbin direkt, e mban Dinamon gjithsesi në vendin e katërt si pasojë i rezultateve të ndeshjeve direkte. Dy ndeshjet e saj, Dinamo i ka fituar me rezultatin 2—0 dhe 1-3, ndërkohë që nga ana tjetër, Partizani ka arritur të fitojë me rezultatin 0-2 ndaj “nëndetëses”.
FLAMURTARI Kjo do të jetë ndeshja e fundit për këtë sezon në Superiore mes dy skuadrave ndërkohë që në kampin kuqezi, shpresojnë që të mos jetë e fundit në Superiore për vazhdimësinë. Dinamo ka arritur të sigurojë 2 fitore në ndeshjet e kaluara kundër Flamurtarit, ndërkohë që një përballje tjetër, ajo e fazës së tretë e luajtur në “Elbasan Arena” ka përfunduar në barazim, me të dyja skuadrat që dolën me nga një pikë që gjithsesi, nuk la të kënaqur asnjërën prej skuadrave. Fitorja e secilës skuadër, do të ishte një hap i madh në objektivat e tyre pasi Flamurtari duhet të ndjekë hapin e Tiranës dhe të përfitojë ndaj rivalëve direktë, ndërkohë që nga ana tjetër, finalja e Kupës ka sjellë motivim te Dinamo, e cila nëse arrin të fitojë në Vlorë, me shumë gjasa ka siguruar pjesëmarrjen në Kupat Europës për sezonin e ardhshëm.
FORMA E SKUADRAVE Në 5 ndeshjet e fundit, Dinamo ka pasur një ecuri më të mirë, duke fituar një ndeshje, duke humbur një tjetër dhe kanë barazuar në 3 sfida të tjera. Nga ana tjetër, Flamurtari ka humbur 2 sfida, ka barazuar 2 dhe ka fituar të fundit, duke treguar se gjërat duket sikur po ndryshojnë pasi ka 5 pikë në 3 sfidat e fundit të kampionatit. Fitoren e marrë, Flamurtari e ka pikërisht ndaj Egnatias në transfertë, skuadra kampione në fuqi dhe të njëjtën gjë, kuqezinjtë do të synojnë të bëjnë edhe ndaj Dinamos, aktualisht fituese e Kupës në fuqi, megjithëse të gjithë në kampin kuqezi e dinë që nuk do të jetë një ndeshje e lehtë. Blutë e vendit të katërt kanë 45 pikë, 16 pikë më shumë se Flamurtari i vendit të fundit.
