Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, Ina Zhupa ka reaguar për gjendjen në hyrje të parkut kombëtar të Butrintit duke e cilësuar situatën të papranueshme për një pasuri të mbrojtur nga UNESCO.
Ajo thekson se, pavarësisht fluksit prej rreth 300 mijë vizitorësh në vit dhe të ardhurave të konsiderueshme që gjenerohen, hyrja e parkut mbetet e ndotur dhe pa standardet minimale të mirëpritjes për turistët.
Zhupa nënvizon se mungesa e investimeve për mirëmbajtjen dhe pastërtinë dëmton imazhin e turizmit shqiptar dhe nuk përfaqëson denjësisht një nga destinacionet më të rëndësishme kulturore në vend.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Kjo është hyrja e parkut kombëtar të Butrintit, pasuri e mbrojtur UNESCO, zonë e mbrojtur. Një nga perlat e Shqipërisë të cilë duhet ta vizitojnë turistët nga e gjithë bota.
Shikojeni pamjen se çfarë bëhet me mbetjet!
Si është hyrja e këtij Parku!
Këtu në të njëjtin vend është edhe stacion autobusi ku zbresin turistët, dhe ku “mirëpriten” nga Saranda turistike, nga Ksamili turistik dhe Butrinti turistik.
Vetëm vjet janë deklaruar rreth 300 mijë vizitorë, që kanë ardhur në parkun kombëtar të Butrintit, duke llogaritur rreth 3 milionë euro që i shkojnë pikërisht AADF, fondacionit për menaxhimin e Butrintit. Pa llogaritur paratë e tjera të shumta që kanë qenë në arkat e Butrintit, por nuk del dot asnjë para për të pastruar hyrjen e parkut kombëtar të Butrintit.
Asnjë para për të pasur dinjitet tek turistët, asnjë para për të treguar një fytyrë ndryshe dhe një mirëseardhje për këdo. Kjo është fytyra që nuk meriton turizmi në Shqipëri.
