Fitoret strategjike nuk vendosen vetëm nga pushtimi i territoreve. Fitoret vendosen në mendje. Në perceptim. Në besim.
Sot, Rusia nuk po kërkon vetëm fitore në fushëbetejë në Ukrainë. Rusia po teston diçka më të rëndësishme. Ajo po vendos në provë qëndrueshmërinë e Perëndimit.
Sinjalet janë të shumta. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës debati për rolin e tyre global është bërë i hapur. Angazhimi i tyre nuk mund të merret më si i mirëqenë.
Çdo deklaratë për tërheqje. Çdo hezitim. Çdo vonesë në ndihmë ushtarake. Lexohet në Moskë si dobësi.
NATO nuk është vetëm një traktat. Nato është një premtim. Dhe si çdo premtim vlen aq sa besimi që e mban në këmbë.
Neni 5 nuk është thjesht një tekst. Ai është thelbi i aleancës. Deri më sot ai ka funksionuar sepse askush nuk e vuri në dyshim.
Sot, dyshimi ekziston. Edhe pse nuk thuhet hapur. Nëse besimi thyhet, gjithçka lëkundet.
Në planin ekonomik, presioni ndaj Rusisë nuk është absolut. Sanksionet kanë efekt. Por, ky efekt nuk është vendimtar. Tregjet përshtaten. Rrugët alternative hapen. Energjia mbetet një levë.
Ndërkohë, një bosht i ri po konsolidohet. Kina dhe Rusia janë gjithnjë e më të koordinuara. Jo si një aleancë klasike formale. Por si një interes i përbashkët kundër Perëndimit.
Irani shton thellësi rajonale. Ofron mjete asimetrike dhe presion të shpërndarë. Koreja e Veriut shton një element tjetër. Parashikueshmëri zero. Gatishmëri për përshkallëzim.
Nuk bëhet fjalë për një bllok klasik. Ngjason më tepër me një rrjet. Fleksibël. I rrezikshëm.
Objektivi i Vladimir Putin nuk është domosdoshmërisht pushtimi klasik. Është erozioni. Ta bëjë NATO-n formale, jo funksionale.
Një aleancë që ekziston vetëm në letër. Nëse kjo ndodh, Europa mbetet e ekspozuar. Sot, Bashkimi Evropian nuk e zëvendëson dot SHBA-në. As në komandë. As në logjistikë. As në parandalim bërthamor. Të paktën jo tani.
Për vendet e vogla, si Shqipëria, NATO nuk është luks. Ajo është një garanci ekzistenciale. Dobësimi i saj është rrezik real për ne.
Prandaj, iluzionet janë të rrezikshme. Neutraliteti nuk është opsion. As pritja pasive.
Duhen më shumë investime në mbrojtje dhe siguri. Më shumë seriozitet në trajtimin e kapaciteteve kombëtare. Duhet më pak retorikë. Më shumë kontribut real.
Historia na mëson, se aleancat nuk bien vetëm nga jashtë. Aleancat dobësohen nga brenda, kur mungon besimi. Sot, krisjet janë të qarta. Moska po i shqyrton dhe po kënaqet me atë që po sheh.
