Deklarata sulmuese e Sali Berishës ndaj News24 për faktin se i jep hapësirë televizive Ervin Salianjit dhe zërave të tjerë kundërshtarë në Partinë Demokratike, nuk është thjesht një reagim i momentit. Është një sulm i qëllimshëm, i mirëmenduar dhe i mbështetur në një logjikë të vjetër, që “kur nuk të pëlqen pasqyrimi, sulmo pasqyrën”.
Një media që i ka dhënë hapësirë të jashtëzakonshme opozitës dhe kryetarit të saj, duke e transmetuar live në ekran deri 5 herë në ditë, në konferenca, mbledhje, forume, foltore, mitingje e takime, një media që transmeton pa filtra qëndrimet opozitare dhe që vazhdon ta bëjë këtë çdo ditë, shpërblehet me baltë. Jo për atë që ka bërë, por për atë që nuk pranon të bëjë, të mbyllë hapësirën për zërat ndryshe brenda së njëjtës parti.
Problemi i vërtetë këtu është mungesa e tolerancës ndaj mendimit ndryshe. Kur një figurë brenda opozitës trajtohet si “i birësuar” vetëm sepse nuk ndjek të njëjtën linjë, atëherë nuk kemi të bëjmë me debat politik, por me një kulturë përjashtimi. Deklarata e Sali Berishës nuk godet vetëm një televizion, por dërgon një mesazh frikësues për çdo gazetar dhe çdo media: Ose jeni me ne pa kushte, ose jeni kundër nesh!
Ky është presion.
Zoti Berisha!
Nuk është detyrë e medias të mbajë gjallë besimin që ju nuk arrini ta ndërtoni vetë.
Nëse qëndrimi juaj është pasojë e dëshpërimit se opinioni nuk ju bindet më, se protestat reduktohen në pak njerëz dhe nuk arrijnë të prodhojnë asnjë efekt, ndërkohë që zemërimi qytetar për korrupsionin apo aferat e qeverisë po shpërthen e ju nuk keni forcë ta kapitalizoni, kjo nuk është përgjegjësi e ekranit. Është krizë përfaqësimi, krizë besimi dhe mungesë lidershipi. Dhe kjo nuk mbulohet duke sulmuar median.
Madje, pikërisht këtu qëndron edhe arsyeja pse opozita nuk arrin të vijë në pushtet. Sepse energjinë e harxhon duke luftuar median, në vend që të ndryshojë veten e të ndërtojë besim te qytetarët.
Në këto kushte News24 që këmbëngul pa frikë tē thotë gjithmonë të vërtetën dhe mbetet i hapur ndaj mendimeve të ndryshme, është më i besueshëm se vetë opozita.
Media nuk ka detyrë të jetë e bindur. Ka detyrë të jetë e lirë. Dhe kush nuk e pranon këtë, nuk lufton për demokraci. Lufton për kontroll!
