3 javë përpara fundit, “beteja” në Serie A për një vend në Champions mbetet totalisht e hapur, me 5 ekipe në garë për 3 vende. Në ditën që Inter festoi titullin e 21-të në histori, dy ndjekësit e tyre, Milan dhe Juve ngecën në ndeshjet e respektike. “Djalli” pësoi një humbje të rëndë 2-0 në “Mapei Stadium” të Reggio Emila, me Sassuolo-n që konfirmohet edhe një herë si macja e zezë për Milan.

5 minuta lojë i mjaftuan Berardi-t për të tundur rrjetën me një goditje shumë të bukur brenda në zonë. Kjo transfertë u ndërlikua akoma më shumë për Milan teksa Tomori doli nga fusha me kartonin e dytë të verdhë pas minutës s 24-ët. Me fillimin e pjesës së dytë, Sassuolo goditi sërish Milan ku Laurentie befasoi Mike Maignan në minutën e 47-të duke dyfishuar shifrat. Ekipi i Allegrit e kishte shumë të vështirë të rikthehej në lojë duke pësuar një humbje të pastër.

Me 67 pikë, Milan qëndron në vendin e tretë, plus 2 në raport me Juve, një pozicion që për momentin nuk rrezikon objektivin Champions, fakt që e pranoi edhe Allegri: “Do të isha i lumtur nëse e arrijmë këtë objektiv edhe në javën e fundit. Për momentin Champions nuk është në rrezik. Duhet të jemi të qetë dhe të shohim përpara, të përgatisim sa më mirë sfidën me Atalantën”, u shpreh Allegri.

Nuk përfitoi nga ky hap fals i Milan ekipi i Spallettit. Juve ngeci në një “X” 1-1 përballë Veronas brenda në “Stadium”. Miqtë kaluan në avantazh në minutën e 34-të, pas një gafe të “Zonjës së Vjetër” në prapavijë. Me fillimin e pjesës së dytë, Spalletti hodhi në fushë Dusan Vlahovic dhe ishte pikërisht sulmuesi serb i cili ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi duke barazuar shifrat në 1-1. Spalletti përdori edhe kartën Zhegrova, por sulmuesi dardan ishte i pafat teksa goditja e tij u përplas në shtyllën pingule. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me Juven që del nga kjo sfidë me një pikë duke qëndruar në vendin e katërt në kuotën e 65 pikëve, 3 më shumë se sa Como.

Ky “X” i lë një shije të hidhur trajneri Spalletti pasi në sytë e tij Juve mund të bënte më shumë në këtë takim: “Na vjen keq, ky barazim na ka lënë një shije të hidhur. Për fat të keq na mungoi kthjelltësia për të pasur në kontroll ndeshjen”, u shpreh ndër të tjera trajneri i “Zonjës së Vjetër”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb