Gazetari Arbër Hitaj, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka folur për situatën e mediave në Shqipëri, duke iu referuar edhe raportit të fundit të Parlamentit Europian.

Hitaj u shpreh se në raport përfshihen edhe shqetësime mbi sulmet ndaj medias News24, duke theksuar se, sipas tij, media shpesh akuzohet nga politika kur cenohet interesi i saj.

“Sulmet ndaj News24 janë të gjitha në raport. Kjo nuk ka asnjë mohim. Politikanët kur u cenohet interesi e kanë fajin mediat”, u shpreh ai.

Gazetari solli në vëmendje edhe një deklaratë të vitit 2011, kur sipas tij, pas ndryshimit të pronësisë së News24, ishte pretenduar nga Partia Socialiste se “paratë e drogës do të blinin televizionin”, ndërsa theksoi se më pas nuk janë paraqitur kurrë prova për këto akuza.

“Kaloi koha, asnjë provë e fakt. News24 u bë më i mirë akoma, me investime cilësore”, tha Hitaj.

Ai shtoi se televizioni është sulmuar në periudha të ndryshme nga aktorë politikë të ndryshëm.

“U sulmua më pas nga Rama, tani nga Berisha, ndërkohë televizioni është zëri i publikut dhe konstant”, u shpreh ai.

Ai shtoi se News24 është televizioni që i ka shërbyer publikut pavarësisht çdo situate, dhe se Hysenbelliu Group ka arritur të ruajë balancat pavarësisht sulmeve.

Në përfundim, gazetari shtoi se edhe pse në disa vende perëndimore vërehet një farë regresi në raport me median, situata në Shqipëri mbetet më problematike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb