Koreja e Veriut ka hequr nga kushtetuta e saj referencat për ribashkimin me Korenë e Jugut, sipas një drafti të rishikuar të publikuar nga mediat ndërkombëtare, duke sinjalizuar një ndryshim të qartë në politikën zyrtare të Phenianit. Sipas dokumentit, neni që parashikonte “bashkimin e atdheut” nuk figuron më në versionin e ri të kushtetutës, e cila raportohet se është miratuar në muajin mars.
Po ashtu, teksti i rishikuar përcakton më qartë kufijtë shtetërorë të Koresë së Veriut, duke përfshirë edhe referencën për Korenë e Jugut si një shtet i veçantë në jug.
Kushtetuta e re thekson gjithashtu se Koreja e Veriut “nuk do të tolerojë asnjë shkelje të territorit të saj”, ndërsa përforcon pozicionin e vendit si një “shtet me armë bërthamore”.
Ndryshimet pasqyrojnë linjën e udhëheqësit Kim Jong-un, i cili prej kohësh ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Seulit, duke e cilësuar Korenë e Jugut si “shtetin më armiqësor”.
Nga ana tjetër, në Seul, presidenti Lee Jae-myung ka bërë thirrje për dialog të pakushtëzuar me Phenianin, ndryshe nga politika më e ashpër e paraardhësit të tij. Megjithatë, Koreja e Veriut ka refuzuar vazhdimisht iniciativat për pajtim, ndërsa vijon të forcojë programin e saj ushtarak dhe bashkëpunimin me aleatë si Rusia. Dy Koretë mbeten teknikisht në gjendje lufte që nga armëpushimi i vitit 1953, pasi nuk është nënshkruar kurrë një traktat paqeje.
