Ne jemi gati “për çdo skenar”, theksoi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në fillim të takimit të këshillit të sigurisë së Izraelit .

Takimi u zhvillua pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vlerësoi se kishte shanse të mjaftueshme për të arritur një marrëveshje paqeje me Iranin, ndërkohë që kërcënoi me bombardime të reja.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me miqtë tanë në Shtetet e Bashkuara. Unë flas me Presidentin Trump pothuajse çdo ditë dhe do të flas përsëri me të më vonë”, tha Netanyahu. Ai theksoi se ekziston “koordinim i plotë” i veprimeve me Uashingtonin dhe se qëllimet kryesore mbeten heqja e rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit dhe çmontimi i aftësive të Teheranit për të rifilluar procesin e pasurimit.

Izraeli goditi periferitë jugore të Bejrutit, një bastion i Hezbollahut pro-iranian, mbrëmjen e sotme, njoftoi agjencia zyrtare libaneze e lajmeve ANI, e cila pak më parë raportoi një shpërthim të fuqishëm në periferitë jugore të kryeqytetit.

Ky është sulmi i parë ajror që kur armëpushimi hyri në fuqi më 17 prill, raportoi ANI, duke cituar burime të sigurisë.

“Forcat ajrore izraelite shënjestruan lagjen Ghobeiri”, tha ANI.

Kryeministri izraelit Netanyahu tha se ushtria kishte shënjestruar një komandant të lartë të Hezbollahut. “Ushtria vetëm pak çaste më parë goditi komandantin e Forcës Radwan në Bejrut”, njësisë elitare të Hezbollahut, “me qëllim neutralizimin e tij”, tha Netanyahu në një deklaratë të përbashkët me ministrin e mbrojtjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb