56 studentë të Akademisë së Sifurisë u helmuan pas konsumimit të drekës ditën e djeshme, me disa prej tyre që përfunduan në spital.
Akademia e Sigurisë e siguron shërbimin ushqimor përmes një kompanie private kateringu, e cila ofron tre vaktet ditore për studentët.
News24 mëson se bëhet fjalë për kompaninë Sori-al, me administratore Alma Tafanin, e cila është shpallur në kërkim.
Kompania SORI-AL SHPK me administratore Alma Tafani rezulton fituese ose kontraktuese në një sërë tenderash publikë për shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi për institucione shtetërore, spitale dhe reparte ushtarake.
Sipas të dhënave të “Open Procurement Albania”, SORI-AL ofron shërbime gatimi dhe catering për punonjësit e Policisë së Shtetit, studentët dhe kursantët në Akademinë e Sigurisë, spitalin Psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë, repartin Ushtarak në Zall-Herr, Tiranë, repartin Ushtarak nr. 5001, spitalin Rajonal Berat, repartin Ushtarak- (komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes), spitalin Rajonal Vlorë, spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, dhe spitalin Universitar të Traumës.
Tenderat përfshijnë kryesisht gatim ushqimi, shpërndarje ushqimi, shërbime kateringu për spitale, akademi, polici dhe ushtri. Vlera e kontratave të fituara nga SORI-AL arrin në qindra milionë lekë.
Ndërkohë, institucionet përkatëse kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Policia bën me dije se janë arrestuar kuzhinieri dhe teknologu i kompanisë.
