Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, i ftuar në ‘Programin e drekës’ në News24 me Ola Brukon, ka shprehur shqetësimin e tij për pragun elektoral 4%, duke deklaruar se sistemi aktual i detyron partitë e vogla të futen në aleancë me forcat e mëdha politike. Sipas Dukës, ky prag është i vështirë për t’u arritur nga partitë e vogla dhe mund të sjellë zhdukjen e disa prej tyre nga përfaqësimi parlamentar.
Duka theksoi se vendi ka nevojë për një kod zgjedhor më të drejtë dhe më përfaqësues, ku qytetarët të kenë qartësi për votën e tyre dhe rezultatin që merr çdo forcë politike. Ai iu referua edhe qëndrimeve të partive të tjera të vogla, duke përmendur Partinë Mundësia, e cila sipas tij ka deklaruar se problemet e zgjedhjeve nuk lidhen vetëm me kodin zgjedhor, por edhe me elementë të tjerë të procesit.
Megjithatë, Duka paralajmëroi se pragu aktual mund të penalizojë rëndë partitë e vogla, ndërsa shtoi se një prag prej 2% do të ishte më i pranueshëm dhe më funksional. Sipas Dukës, në diskutimet e zhvilluara deri tani ka pasur dakordësi në parim për ndryshime në kodin zgjedhor, por ende nuk janë diskutuar në detaje çështjet konkrete që lidhen me pragun elektoral.
“Me kodin aktual je i detyruar të futesh në aleancë me një parti të madhe. Pragu 4 % është pak i vështirë për partitë e vogla, nuk e di sa do të realizohet. Nëse bëhet për të gjithë shoqërohet gara. Partitë e vogla mund dhe t’i zhdukë disa. Nuk do të mund të futen në Parlament. Se di nëse do të dakordësohen partitë e vogla. Duhet një kod i drejtë për të gjithë.
Shqiptari që voton duhet ta dijë se kë ka votuar dhe sa vota ka marrë kjo parti. Kam parë që partia Mundësi ka thënë që nuk është kodi zgjedhor që mund të krijojë probleme për zgjedhjet, por janë elemente të tjera. Ka shumë mundësi që ky prag t’i zhdukë, por besoj gjendet një zgjidhje. Duke parë këtë të keqe që kemi aktualisht me atë pragun, do të preferoja të dytën. Nuk ka identitet partish, nuk njihen, veç atyre që kanë guxuar. Nëse pragu do të ishte 2%, do të ishte shumë mirë. Kam qenë vetëm në një tryezë, jam dakordësuar menjëherë se këtë kemi kërkuar. Por nuk kemi kaluar në detaje për pragun.”, tha ai.
