Kremlini ka rritur ndjeshëm masat e sigurisë rreth presidentit rus Vladimir Putin, përfshirë instalimin e sistemeve të mbikëqyrjes në banesat e stafit të tij të ngushtë dhe kufizime të forta për personat që punojnë pranë tij, sipas një raporti të një agjencie evropiane të inteligjencës të siguruar nga CNN.
Në raport thuhet se masat e reja janë nxitur nga shqetësimet për sigurinë pas vrasjeve të disa figurave të larta ushtarake ruse dhe frikës për destabilizim të brendshëm.
Sipas të dhënave të publikuara, kuzhinierët, truprojat dhe fotografët që punojnë me Vladimir Putin nuk lejohen të përdorin transport publik, ndërsa vizitorët e tij kalojnë kontrolle të dyfishta sigurie. Gjithashtu, punonjësit pranë tij mund të përdorin vetëm telefona pa akses në internet.
Raporti thekson se disa prej këtyre masave janë vendosur pas një sulmi ndaj një gjenerali të lartë në dhjetor, që dyshohet se ka shkaktuar tensione brenda strukturave të sigurisë ruse.
Gjithashtu, thuhet se është kufizuar ndjeshëm lëvizja e presidentit rus, duke reduktuar vizitat në rezidencat e zakonshme dhe objektet ushtarake. Sipas raportit, Vladimir Putin ka kaluar periudha të gjata në ambiente të fortifikuara dhe përdor shpesh udhëtime të fshehta ose imazhe të regjistruara paraprakisht për paraqitjet publike.
Raporti vjen në një moment tensionesh të shtuara për Rusinë, mes luftës në Ukrainë dhe presioneve ekonomike e politike në rritje, ndërsa Kremlini nuk ka komentuar publikisht mbi këto pretendime.
