Kryetari i ish-të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni ka reaguar me tone të forta ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili së fundmi deklaroi se Shqipëria është “më afër Europës”.
Përmes një reagimi publik, Ndregjoni thekson se realiteti në vend është ndryshe dhe rendit një sërë problematikash që, sipas tij, tregojnë se Shqipëria mbetet larg standardeve europiane.
“Shqipëria është i vetmi shtet në Europë që nuk ka dënuar krimet e komunizmit”, shprehet ai, duke shtuar se mbi 6 mijë persona të zhdukur gjatë diktaturës vazhdojnë të mos kenë ende një varr.
Ndregjoni kritikon edhe proceset zgjedhore në vend, duke deklaruar se “Shqipëria është i vetmi vend që nuk bën zgjedhje të lira”, ndërsa akuzon qeverinë se merret më shumë me propagandë elektorale sesa me zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
Në reagimin e tij, ai ndalet edhe te drejtësia, ku përmend emra si Belinda Balluku dhe Mirlinda Karçanaj, duke pretenduar se drejtësia vepron vetëm ndaj kundërshtarëve politikë dhe jo në mënyrë të barabartë për të gjithë.
Sipas Ndregjonit, Shqipëria funksionon si një “Republikë Kryeministrore” dhe jo si një republikë parlamentare, ndërsa shton se institucionet janë nën ndikimin e pushtetit politik.
Ai ngre shqetësime edhe për trajtimin e ish-të përndjekurve politikë, duke deklaruar se ish-funksionarë të diktaturës përfitojnë pensione të larta, ndërsa të burgosurit politikë marrin pensione minimale.
“Shqiptarët i përkasin Europës, politika dhe pushteti i përkasin diktaturave”, përfundon reagimin e tij Besim Ndregjoni, duke theksuar se integrimi europian nuk arrihet me propagandë, por me vlera dhe standarde demokratike.
