Pas akuzave të Sali Berishës ndaj Kreut të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, duke e cilësuar atë si “ambasador të Edi Ramës”, ka ardhur reagimi i Komisionit Evropian.
Në një deklaratë zyrtare, një zëdhënës i Bashkimit Evropian ka dënuar sulmet personale ndaj ambasadorit të BE-së në Shqipëri, të bëra në Ditën e Evropës, duke i cilësuar ato të papranueshme.
“Deklarata të tilla janë të papranueshme. BE-ja dënon me forcë sulmet personale të bëra në Ditën e Evropës ndaj Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Ambasadori i BE-së ka vepruar në çdo kohë me profesionalizëm dhe integritet të plotë. Ne kemi besim të plotë tek ai dhe puna e tij”, thuhet në reagimin e Komisionit Evropian.
Një ditë më parë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, kishte akuzuar ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, duke pretenduar se diplomati kishte deklaruar në Bruksel se opozita shqiptare nuk mbështet procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
